Secondary Adv

Fonde per nxitjen e sipermarrjeve tek te rinjte


Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Brunilda Paskali, ka thënë se të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të hapin një biznes të tyrin do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë me programe të posaçme ligjore dhe financiare që realizojnë këtë qëllim.


Teksa ka folur për hapat dhe procedurat që duhen ndjekur për të përfituar nga fondet e vëna në dispozicion nga qeveria për hapjen e një biznesi “Start-Up”, Paskali ka inkurajuar të rinjtë që të guxojnë të investojnë. Gjithashtu, ajo thekson se tashmë janë vendosur mekanizmat e nevojshëm administrativë, të cilat u mundësojnë të gjithë atyre që kanë dëshirë të hapin biznesin e tyre, të kenë përkrahjen e nevojshme ekonomike për të nisur investimet. Për më tepër grupet që kanë pasur një përkrahje në rritje, për sa i përket hapjes së sipërmarrjeve të reja kanë qenë të rinjtë, si edhe gratë dhe vajzat.


Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave
Gratë dhe vajzat, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2014, kanë hapur mbi 30% të sipërmarrjeve të reja. Gjithashtu rreth 1/3 e sipërmarrjeve të regjistruara në QKR janë në pronësi të grave dhe vajzave.


“Për sa i përket krijimit të sipërmarrjeve të reja vihet re një tendencë në rritje e sipërmarrjeve të hapura nga gratë dhe vajzat e reja. Mbi 30% e shoqërive të reja të hapura në periudhën e 6-mujorit të parë drejtohen ose janë në pronësi nga gra dhe vajza. Ndërkaq në bazë të statistikave, 27.4% e sipërmarrjeve të regjistruara në QKR kanë pronarë gra ose vajza”, bën të ditur zv/ministrja Paskali.

Mbështetje ndaj të rinjve
Rreth një muaj më parë është miratuar një fond i posaçëm, i cili menaxhohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, për t’u ardhur në ndihmë sipërmarrjeve të reja “Start-Up”.
“Start Up”-et janë ndërmarrje të krijuara rishtas dhe që janë në kërkim të tregjeve. Fondi, kryesisht adresohet për të rinjtë apo gratë e vajzat, por edhe për grupe  të tjera te interesuara të hapin një sipërmarrje të tyre.
“Në kuadrin e mbështetjes ndaj të rinjve që duan të hapin një biznes mund të them se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë (MZHEST) ka disa programe të cilat menaxhohen nëpërmjet AIDA-s, agjencisë tonë shtetërore për zhvillimin e investimeve, ku mbështeten të rinjtë. Jo më larg se para 1 muaji, u miratua një fond në mbështetje të sipërmarrjeve te reja “Start Up”, thekson Paskali.


Si aplikohet
Është rëndësishme që për përpara se të aplikojnë për fondin, të gjithë të interesuarit duhet të paraqesin një projekt-plan për sipërmarrjen e tyre, i cili tregon se zbatueshmëria e veprimtarive të jetë e mundur brenda kohës së propozuar.  Këto sipërmarrje “Start-Up” duhet të krijojnë mundësinë e punësimit të 1 deri në 3 persona nga momenti i përfitimit të fondit, të jenë brenda vendit. Por para se të shkosh te aplikimi të interesuarit duhet të informohen për kriteret në kuadrin ligjor si edhe rregulloren përkatëse.


“Kërkesat variojnë nga plani i biznesit, numri i të punësuarve e deri te shuma e parashikuar për të investuar. Të gjithë këto janë elementë të domosdoshëm për të arritur në vlerësimin e dhënies së këtij fondi për një sipërmarrjeje të re”, thotë Paskali.
Më tej zëvendësministrja tha se me krijimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar nga qeveria krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë mes sipërmarrjes dhe shtetit, lidhje që do të ndihmojë biznesin me kuadrin ligjor dhe planin e veprimeve./Shekulli


Më të lexuarat