Kulla te tjera ne Tirane, Keshilli Kombetar i Territorit miraton projekte te reja
Kullë 24 katëshe ne Rrugen e Kavajes
Në vendin ku ndodhej ish Muzeu i Shkencave të Natyrës në rrugën e Kavajës, do të ngrihet një kullë 24 katëshe, qendër tregtare me apartamente në pjesën e sipërme. Kulla do të ketë fizionominë e njohur të pyllit vertikal të Stefano Boerit në Milano dhe është projektuar nga studioja Arche Associati e Marco Casamonti.
West Residence
Godina tjetër e miratuar nga KKT është e ashtuquajtura West Residence, projektuar nga Stefano Boeri, e studios Boeri Architetti, hartuese e masterplanit të Tiranës. Boeri është autori i Masterplanit të Tiranës. West Residence është një tjetër ndërtesë “shumëfunksionale”, e cila do të ndërtohet pas godinës së Presidencës, përgjatë rrugës Ibrahim Rrugova, në vendin ku tani ndodhet një parkim dhe klinika e dikurshme e bllokut. Sigurisht, edhe kjo ndërtesë do të shoqërohet me disa pemë sipërfaqësore, që veshin një fasadë masive betoni.
Bllok
Një tjetër projekt i Stefano Boerit do të ndërtohet mbi të gjithë zonën ku shtrihej dikur Bar Rovena, në zonën e ish-Bllokut. Edhe kjo është një tjetër godinë “multifunksionale”, pra qendër tregtare, zyra dhe apartamente, që do të ndërtohet nga një kompani e regjistruar vetëm një vit më parë si West Residence, Invest shpk. Ndërtesa do të shtrihet në këndin e rrugës Pjetër Bogdani dhe Rrugës Vaso Pasha dhe do të ketë “tarracë të gjelbërt”. Tani për tani emërtimi i saj do të jetë “Bllok”.