Cmimet e apartamenteve bien me 5.8 per qind, me te ulta qe nga 2009
Indeksi i çmimit të banesave ka shënuar një rënie të ndjeshme prej 5.8% në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërkohë që ai i qirave ra me 17%. Të dhënat vijnë përmes raportit të Politikave Monetare, të bërë publik dje nga Banka e Shqipërisë, ku theksohet se kjo rënie është më e madhja e regjistruar që nga viti 2009.
"Indekset e çmimit të shitjes dhe të qirasë së banesave kanë shënuar rënie vjetore në tremujorin e tretë të vitit 2014. I deflatuar me indeksin e çmimeve të konsumatorit, indeksi i çmimit të banesave ra me 5.8% në tremujorin e tretë, një rënie kjo e krahasueshme me rënien mesatare të këtij indeksi gjatë tri viteve të fundit. Ndërkohë, indeksi i qirasë regjistroi rënie reale me 17% në këtë tremujor. Kjo ishte rënia më e theksuar që nga tremujori i fundit i vitit 2009", thekson në raport Banka e Shqipërisë.
Çmimet Raporti për tremujorin e tretë të vitit shpjegon se zhvillimet janë ndikuar nga kërkesa e dobët për blerje banese dhe nga oferta e shtuar për banesa me qira. Ndërkaq, dinamika vjetore e indeksit të çmimit dhe e indeksit të qirasë ka qenë e ngjashme gjatë viteve të fundit.
Treguesi që përmbledh zhvillimet e të dyja indekseve, raporti i indeksit të çmimit ndaj qirasë, vijon të luhatet afër mesatares së gjashtë viteve të fundit. Në tremujorin e tretë ky raport regjistroi një rritje me 0.2 pikë përqindje nga tremujori i dytë, i ndikuar në një masë më të madhe nga rënia e qirave sesa nga rënia e çmimeve.
Raporti Banka e Shqipërisë prezantoi për mediat raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë, ku konfirmoi një optimizëm të kujdesshëm për kthim të rritjes ekonomike në vlera pozitive në gjysmën e dytë të vitit.Sipas Bankës Qendrore, rënia e papritur e tremujorit të dytë u detyrohet faktorëve të përkohshëm dhe bazës krahasuese vjetore jonormale, me një tremujor elektoral.
Por përmirësimi i kërkesës private është një element që do të kontribuojë në rikthimin e procesit gradual të rritjes. Megjithatë, ekspertët e departamentit të Politikës Monetare pranuan se rënia e tremujorit të dytë do të kërkojë një rishikim në ulje të projeksioneve për rritjen vjetore të vitit 2014. Skenarët bazë të Bankës Qendrore konfirmojnë një ekonomi me rritje nën potencialen dhe kërkesë që ushtron presione të dobëta inflacioniste. Inflacioni në katër tremujorët e ardhshëm do të luhatet në intervalin 1.1% deri në 3.7%. Ky mjedis nuk krijon kushte për rritje të ndjeshme të punësimit dhe pagave në ekonomi. Pasiguria mes bizneseve, përfshi institucionet financiare, ngelet e lartë, çka i bën ato ngurruese për marrjen e rreziqeve dhe ekonominë pak reaguese ndaj kushteve të lehtësuara monetare.