Firmoset marreveshja per ndertimin e 6 ujesjellesave ne Shqiperi
Firmoset marrëveshja me Zvicrën për ndërtimin e 6 ujësjellësave në Shqipëri. Nga dokumenti në vlerë 11.6 milion euro përfitojnë 7 bashki me rreth 400 mijë konsumatorë. Ato janë e Beratit, Kamzës, Kuçovës, Gjirokastrës, Delvinës, Lushnjes e Librazhdit. Marrëveshja u firmos nga Ministri i Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto e ambasadori zviceran në vendin tonë.
Në kuadër të javës kombëtare të ujit është çelur ekspozita e përbashkët ballkanike Uji dhe Energjia. Profesionistë të sektorit të ujit nga gjithë Ballkani do të prezantojnë dhe diskutojnë aspektet e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizime duke i gërshetuar me marrëdhëniet që ka uji me energjinë.
Pas reduktimit të humbjeve të energjisë elektrike, qeveria shqiptare është e përkushtuar të reduktojë dhe humbjet në rrjet të ujit. Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto në Konferencën e Përbashkët Ballkanike “Uji dhe Energjia”, tha se një nga prioritetet e sotme është ulja e humbjeve.
Duke e konsideruar si një ndër objektivat prioritar reduktimin e humbjeve në rrjet, ai theksoi se 67% e ujit të prodhuar që humbet klasifikohet si humbje teknike. “Pjerrësinë natyrore që Shqipëria ka sot nga lindja drejt perëndimit dhe territori malor në 2/3 e vendit është një avantazh parësor dhe element deçiziv, i cili do të konsiderohet në të projektimet dhe investimet e së ardhmes. Në sistemin e Ujësjellësit, sot përballemi me situatën ku 60% e volumit të ujit në sistemin aktual realizohet me ngritje mekanike dhe kjo sjell kosto shumë të lartë për energjinë e shpenzuar” tha Haxhinasto.
Ministri theksoi se menaxhimi me standard të lartë dhe investimet e mëtejshme do të kontribuonin në furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm, pasi rreth 19% e popullatës nuk akseson drejtëpërdrejtë sistemin e ujësjellës-kanalizimeve. Haxhinasto tha se sfidat në sektor kërkojnë ndryshime rrënjësore dhe do të jenë prezente në strategjitë që po zhvillohen, si parime të rëndësishme për dizainimin dhe programimin e investimeve dhe reformave në të ardhmen. Ekspozita e organizuar nga shoqata ujësjellës kanalizime është e hapur për të gjithë të interesuarit në datat 5-6-7 nëntor në ambientet e hotel “Tirana”.