
Pas 68 vitesh nje kryeminister shqiptar viziton Serbine
Para pak minutash ne oren 09:40 delegacioni shqiptar me kryeministrin Edi Rama ka mberritur në aeroportin e Beogradit. Kjo është vizita e parë e një kryeministri Shqipëtar pas 68 vitesh. Ndërkohë është konfirmuar që në ditën e dytë të vizitës, ditën e martë, kryeministri do të vizitojë Preshevën dhe Bujanovc ku do të shpallet qytetar nderi.
Grupi i protokollit të shtetit ka mbërritur në Beograd paraditen e të premtes në një kohë kur mediat dhe opinioni publik serb janë të përfshirë plotësisht në çfarë pritet të ndodhë këto dy ditë, kur një kryeministër shqiptar do të zbresë në Beograd për herë të parë pas 68 vjetësh.
Ndërkohë ka të dhëna se Presidenti Nikoliç do të lëvizë jashtë Serbisë atë ditë për të mos i dhënë dorën Edi Ramës, në një kohë kur perceptimi i përgjithshëm është se Edi Rama po e sfidon Serbinë duke mos shprehur asnjë luhatje për ta bërë vizitën.
Burimet informojnë se autokolona e vogël shqiptare do të tejzgjatet me mjete policore dhe rruga drejt vendbanimeve shqiptare, do të ruhet nga mijëra trupa përfshire edhe ato ushtarake. Pala shqiptare nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim mbi atë se çfarë Edi Rama do t’u thotë shqiptarëve të Preshevës dhe duket se kjo vazhdon ta mbajë në pikëpyetje konfirmimin nga ana serbe të vizitës së kreut të ekzekutivit shqiptar në krahinën e banuar nga shqiptarët.
Mediat serbe i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë vizitës së tij në Preshevë, duke cituar ministrin e Jashtëm, Ivica Daçic, që tha se nuk është problemi tek vizita e Ramës në Preshevë, por tek mesazhi që ai do të përcjellë.
Axhenda
Në ditën e parë kreu i ekzekutivit shqiptar do të mbërrijë në aeroportin e Beogradit në orën 09:30. Kreu i qeverisë shqiptare, sipas axhendës, do të pritet në takim në orën 11:00 nga Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në pallatin e Federatës Serbia me të cilin do të bisedojë kokë më kokë, takim që do të pasohet nga ai i dy delegacioneve. Në axhendë bie në sy fakti se lista e takimeve është modifikuar në krahasim me axhendën e 22 tetorit, dhe është vendosur që Kryeministri Rama nuk do të takohet me Presidentin Tomislav Nikoliç, pasi ky i fundit nuk do të jetë në Serbi, duke shmangur në këtë mënyrë takimin me kreun e qeverisë shqiptare. Po ashtu në axhendë është hequr edhe takimi me kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Maja Gojkoviç.
“Delegacioni mbërrin në Pallatin Serbia. Kryeministri i Republikës së Serbisë i uron mirëseardhjen Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Së bashku asistojnë në luajtjen e himneve kombëtare dhe parakalojnë në revistë rojën e nderit”, thuhet në axhendën e takimeve. Më pas, në 30 minuta do të zhvillohet fillimisht takimi kokë më kokë Rama-Vuçiç e më pas takimi mes dy delegacioneve. Në orën 12:15 është parashikuar konferenca e përbashkët mes dy kryeministrave. Axhenda vazhdon me bashkëbisedim mes Kryeministrit Rama dhe dy ministrave, Bushati dhe Ahmetaj me gazetarët në hotel “Hyatt”.
Më pas delegacioni shqiptar do të marrë pjesë në Forumin për Etikë dhe Marrëdhënie ku do të diskutohet për “bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Serbisë”. Delegacioni shqiptar do ta mbyllë axhendën e takimeve, në 19:35, ku do të pritet nga kryebashkiaku i Beogradit. Ndërsa më datë 11 nëntor, delegacioni shqiptar do të niset për në Preshevë. Delegacioni shqiptar pritet të shoqërohet nga masa të forta sigurie, që sipas mediave serbe do të jenë më të shumta se në vizitën e fundit të Presidentit rus Vladimir Putin.
Ditën e dytë të vizitës, Edi Rama ia ka dedikuar qendrave shqiptare në Luginën e Preshevës. Mysafiri nga Tirana do të pritet me 2.000 policë në Beograd, kurse ne Preshevë me 200 policë. Sipas të njëjtave burime, ambasada shqiptare ka marrë një autobus privat me qira në Beograd ku do të transportohet delegacioni shqiptar me rreth pesëdhjetë veta së bashku me Ramën drejt Preshevës, ku në krye do të jetë një flamur shqiptar.
Pas takimit me krerët vendorë, zoti Rama do të mbajë një fjalim në sheshin qendror të Preshevës e më pas do të ecë në këmbë, ku do të takohet edhe me qytetarë. Ndërsa më pas do të vizitojë edhe maternitetin e financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare. Më pas zoti Rama do të udhëtojë drejt Bujanovcit, qytetit tjetër të Luginës, ku takohet me zyrtarët lokalë, si dhe do të vizitojë edhe një shkollë të mesme.
Të hënën
11:00 - Delegacioni mbërrin në Pallatin Serbia. Kryeministri i Republikës së Serbisë i uron mirëseardhjen Kryeministrit te Republikës se Shqipërisë. Së bashku asistojnë në luajtjen e himneve kombëtarë dhe parakalojnë në revistë rojën e nderit.
11:10 - Takim kokë më kokë midis dy Kryeministrave
11:30 - Takim midis dy delegacioneve
12:15 - Konferencë për shtyp e dy Kryeministrave
16:00 - Bashkëbisedim me gazetaret
17:00 - Panel i organizuar nga Dr. Dusan Janjic dhe Forum for Ethnic Relations me temë “Cooperation between Albania and Serbia” në prani të rretheve intelektuale, biznesmenëve, trupit diplomatik, parlamentarëve serbë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave.
19:35 - Pritje nga Kryebashkiaku i Beogradit.
Të martën
Vizita në Preshevë
“Kryeministri shqiptar Edi Rama pas vizitës së sotme në Beograd, mëngjesin e së martës do të udhëtojë për në Preshevë..” ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” znj. Suzana Vasilevic shefe e kabinetit të qeverisë serbe. Me këtë konfirmim zyrtar për vizitën e kryeministrit Rama në Preshevë hiqen dilemat dhe shkrimet spekulative se Edi Rama nuk do të shkojë apo nuk do t’i lejohet të vizitoj qytetet shqiptare në Jugun e Serbisë, respektivisht në Preshevë dhe Bujanovc, në të cilat janë bërë përgatitjet e duhura për këtë vizitë të pritur prej kohësh. Sipas mediave, kryeministri shqiptar do të shpallet qytetar nderi i qyteti të Preshevës ose i Bujanocit. Ndërsa, çelësi i Preshevës është gati për Ramën, bën gjithashtu të ditur agjencia e lajmeve "Presheva jonë" referuar burimeve të komunës.
Presheva gati të presë Ramën
Presheva zgjohet me Edi Ramën…”Mirë se na vjen kryeministër”. Tashmë vizita e kryeministrit shqiptar në Serbi është konfirmuar nga të dy palët. Ndërkohë nuk do të mungojë vizita e Ramës në Preshevë. Në qytetin e shqiptarëve tashmë janë në përfundim e sipër përgatitjet për pritjen e kryeministrit të tyre, shkruan agjencia e lajmeve ‘Presheva Jonë”. Billboard-at ku vihet re fytyra e Ramës janë vendosur nga gjimnazi “Skenderbeu » e deri lart tek qendra, komuna e Preshevës në sheshin e deshmorve te UCPMB-së. “ I dëshirojmë mirëseardhjen kryemnistrit tone Edi Rama në Kosovën Lindore…” ka pohuar per agjencine Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit komunal të Bujanocit.
Vizita u shty pas ndeshjes
Vizita në Beograd ishte parashikuar në muajin Tetor, por pas ndeshjes së dhunshme të futbollit Serbi-Shqipëri, kjo vizitë u shty për në 10 Nëntor. Pala serbe akuzoi qeverinë shqiptare si joserioze me deklaratat që bëri mbi ndeshjen e futbollit dhe madje hodhi akuza se një prej organizuesve të dronit që u lëshua në stadiumin ‘Partizani” në Beograd kishte gisht vetë vëllai i kryeministrit Olsi Rama. Pavarësisht deklaratave të njëpasnjëshme nga Beogradi zyrtar, Rama u shpreh se do e kryejë vizitën e planifikuar në Serbi./Ballkanweb
Më të lexuarat








