
Nenshkruhen tri marreveshje mes Shqiperise dhe Serbise
Gjate vizitës se delegacionit shqiptar ne Beograd, mes përfaqësuesve te qeverise shqiptare dhe asaj serbe janë nënshkruar edhe tre marrëveshje bashkëpunimi. Një prej tyre ka te beje me lëvizjen e qytetareve te te dy shteteve edhe nëpërmjet kartave te identitetit. Marrëveshja e dyte ka te beje me lëvizjen e mallrave ne doganat respektive. Ndërsa marrëveshja e trete ka te beje me bashkëpunimin rinor mes dy shteteve.
Mes Serbisë dhe Shqipërisë janë nënshkruar tre marrëveshjeve mes dy vendeve; një për doganat, një që shqiptarët dhe serbët të udhëtojnë me karta identiteti dhe një për bashkëpunimin rinor. Marrëveshja për doganat u firmos nga dy ministrat respektivë të ekonomisë, atij shqiptar Arben Ahmetaj dhe homologut të tij serb Dusan Vujoviç.
Marrëveshja doganore
Sipas qëllimit të kësaj marrëveshje, palët Kontraktuese, nëpërmjet Autoriteteve të tyre Doganore dhe në përputhje me dispozitat e përcaktuara në këtë Marrëveshje, do t’i mundësojnë njëra-tjetrës ndihmë të ndërsjellë, me qëllim që:të sigurojnë se legjislacioni doganor është zbatuar në mënyrë korrekte; dhe të parandalojnë, hetojnë dhe luftojnë shkeljet e legjislacionit doganor. E gjithë ndihma në kuadrin e Marrëveshjes në fjalë nga secila Palë Kontraktuese do të jepet në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe brenda kompetencave dhe mundësive të Autoritetit të vetë Doganor. Kjo Marrëveshje synon vetëm ndihmën e ndërsjellë administrative ndërmjet Palëve Kontraktuese; dispozitat e kësaj Marrëveshjeje nuk i japin të drejtë asnjë personi privat që të marrë, pengojë ose përjashtojë asnjë provë ose të pengojë ekzekutimin e ndonjë kërkese.
Lëvizja e lirë e qytetarëve
Gjithashtu u nënshkruan edhe dy marrëveshje të tjera; për lëvizjen e qytetarëve drejt të dy vendeve vetëm me kartat e identitetit, dhe një marrëveshje për bashkëpunimin e grupeve rinore mes Shqipërisë dhe Serbisë, në nivel universitetesh apo dhe më gjerë. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Ekonomisë në Tiranë, në të njëjtën kohë, bizneset shqiptare, rreth 15 në numër që ishin pjesë e delegacionit, morën pjesë në forumin e biznesit organizuar nga Dhoma e Tregtisë e Serbisë. Forumi pati një pjesëmarrje të gjerë dhe u diskutuan çështje të rëndësishme në fushën e energjisë, tregtisë, ndërtimit, turizmit, bujqësisë, manifakturës, agroindustri, produktet farmaceutike etj.
Forumi ekonomik
Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtisë mes dy vendeve, e cila ka ardhur në rritje. Bizneset e të dy vendeve vlerësuan pozicionin e përshtatshëm gjeografik të Shqipërisë për daljen në det dhe si një urë e rëndësishme lidhëse me tregun europian dhe Serbia si një urë lidhëse me hapësirat ekonomike e tregtare të Europës lindore e më gjerë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ftuan bizneset serbe të vijnë në Shqipëri vitin e ardhshëm për forumin e biznesit që do të organizohet nga pala jonë.
Ajo që u vu re gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, pak para konferencës së përbashkët mes dy kryeministrave Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, ishte se prezantimi i marrëveshjes, u bë vetëm në gjuhën shqipe. Të dy ministrat respektivë nënshkruan marrëveshjen ekonomike, si një shenjë e bashkëpunimi të ri mes dy vendeve, për t’i hapur rrugë një kapitulli të ri marrëdhëniesh.
Më të lexuarat









