Shqiptaret do te paguajne takse per mirembajtjen e 18 mije km rruge
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë taksa për 18 mijë km rrugë që ekzistojnë në Shqipëri në mënyrë që të mirëmbahen. Pas përfundimit të studimit do të vendoset më pas edhe për taksën që një qytetar do të paguajë në varësi të llojit të rrugës.
Drejtoresha e Përgjithshme e Integrimit në ministrinë e Transporteve, Argita Totozani shpjegon në Ora News se kjo nismë është marrë pasi rrugët duan mirmbajtje dhe kostoja e është e lartë.
“Rrugët kanë nevojë për mirëmbjajtje dhe buxheti i shtetit është i limituar. Ky inventar i rrugëve i trashëguar dhe rrugët që do të ndërtohen në të ardhmen do të kenë nevojë për mirëmbajtje. Përcaktimi i një strategjie të taksave është në përputhje me legjislacionin evropian dhe praktikën europiane,” thotë ajo. Drejtoresha pranon se taksimi i rrugëve do të jetë e kosto për qytetarët por shprehet se kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtuar atë që është ndërtuar deri më tani “Sigurisht që mund të jetë pak e dhimbshme por praktika europiane ka treguar se nëse nuk vilen të ardhura nga këto investime të shtetit nuk mund të mirëmbahet rruga dhe nuk mund ti shërbejë qytetarit”
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhënë një fond prej 149.117 eurosh për të hartuar strategjinë e taksimit Rrugor në Shqipëri dhe aktualisht gjithçka është në fazë studimi. Deri tani dihet një shifër për rrugën Durrës-Kukës, e cila pritet të jetë 5 euro. Taksë per Rrugën e Kombit
Nëse do të kalosh me makinë në Rrugën e Kombit, autostrada Durrës- Kukës, shumë shpejt, ndoshta vitin tjetër, do të duhet të paguash një tarifë prej 5 eurosh. Kjo taksë që deri tani është në fazën e propozimit, por që me shumë gjasa do të miratohet, për ministrin e Infrastrukturës dhe të Transportit është e përballueshme. “Është relativisht sa 3-4 litra naftë” tha ministri Edmond Haxhinasto i ftuar mbrëmjen e 28 tetorit në emisionin ‘Tonight Ilva Tare” në RTV Ora News. “Besoj se do të jetë një kosto e përballueshme nëse do të kemi parasysh cilësinë e re që do të ofrohet në rrugë në rastin e realizimit të gjithë shërbimit të mirëmbajtjes,” nënvizoi ai duke shtuar se tenderi për dhënien me koncension të kësaj rruge do të bëhet brenda këtij viti.
Kjo ministri është në fazën e procesit të përgatitjes së një studimi për taksimin e rrugëve të Shqipërisë që e aplikojnë disa vende të rajonit. “ Mendoj se janë mundësitë për të zbatuar këto taksime, flas për rrugën Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan. Do jemi shumë më të qartë pas studimit që përfundon pranverën e vitit që vjen” u shpreh Haxhinasto.