Secondary Adv

Sejko optimist, Ekonomia dhe punesimi do te rriten

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, konfirmoi dje, gjatë konferencës për shtyp, se për 2018-ën ekonomia do të rritet.

 

Rritja ekonomike, sipas Guvernatorit Sejko, do të mundësojë rritje të punësimit dhe pritet të sjellë rritje më të shpejtë të pagave dhe kostove të prodhimit. Guvernatori Sejko pohoi se rritja ekonomike do të mbështetet nga rritja e kreditimit për ekonominë. Sejko tha se kredia me probleme është ulur në 14,3 për qind, çka tregon se bilancet e sistemit tregtar janë përmirësuar.


“Projeksionet tona për të ardhmen flasin për një përmirësim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit dhe pritet të sjellë rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Këto zhvillime do të mbështeten, ndër të tjera, nga kushtet aktuale të favorshme të financimit dhe nga një ecuri e pritur më e mirë e kreditimit. Rënia e mëtejshme e raportit të kredive me probleme, raport i cili shënoi nivelin 14.3% në muajin nëntor, tregon se bilancet e sistemit bankar po vijnë drejt përmirësimit dhe se rreziku i kredisë po vjen drejt rënies”, tha Sejko.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se gjatë vitit 2017 ekonomia ka vijuar rritjen. “Aktiviteti ekonomik i vendit ka vijuar të shënojë rritje në tremujorin e tretë dhe të katërt, ndonëse disa tregues indirektë sugjerojnë një ngadalësim të lehtë në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike ka pasqyruar ambientin e favorshëm financiar, përmirësimin e besimit, impulset e gjeneruara nga rritja e punësimit dhe nga nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, si dhe momentin pozitiv të ekonomive partnere tregtare”, tha Sejko.


EURO
Ulja e përdorimit të euros do të shoqërohet me disa masa, të cilat do të nisin të zbatohen në 6-mujorin e parë të 2018-s. Guvernatori Sejko lajmëroi se zbatimi i këtyre masave është konsultuar dhe me bankat. “Një angazhim tjetër strategjik, lidhet me rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, e thënë ndryshe me deeuroizimin e ekonomisë. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2017, në konsultim dhe me industrinë bankare, kemi ideuar disa masa specifike, të cilat do të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2018. Për ta bërë deeuroizimin gjithëpërfshirës, Banka e Shqipërisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, për të nxitur marrjen e masave të ngjashme edhe në pjesën tjetër të sistemit financiar dhe në ekonominë reale. Kjo iniciativë pritet të rezultojë shumë shpejt në masa konkrete shtesë”, tha Sejko. |Panorama


Më të lexuarat