Investimet publike gjate 2014, ne nivelet me te uleta ne 7 vite
Investimet publike gjatë këtij viti janë në nivelet më të ulëta të shtatë viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për nëntëmujorin e këtij viti, vlera e shpenzimeve kapitale të qeverisë ishte afërsisht 30 miliardë lekë, më e ulëta që nga viti 2007.
Plani i realizimit të investimeve të planifikuara është mjaft i ulët, rreth 45%. Mosrealizimi është më i lartë sidomos në segmentin e investimeve me financim të brendshëm, ku 68% e investimeve të planifikuara deri në Shtator nuk janë kryer. Këto të dhëna mund të shpjegojnë pjesërisht rezultatin zhgënjyes të tremujorit të dytë, kur ekonomia pësoi rënie me 0.6% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2013. Megjithëse paralelisht me investimet e reja këtë vit po kryhet edhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura, efekti i tyre në ekonomi nuk është i njëjtë me investimet e reja.
Pjesa më e madhe e këtyre parave ka shkuar për mbylljen e detyrimeve të ndërsjellta mes bizneseve dhe të kredive bankare. Që nga shpërthimi i krizës ekonomike, në vitin 2008, Shqipëria ka arritur të ruajë ritme të rritjes ekonomike pozitive. Kjo i detyrohet sidomos nivelit të lartë të shpenzimeve publike, që sollën edhe rritje graduale të borxhit publike deri në rreth 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Zbehja e investimeve këtë vit mund të ketë një efekt të ndjeshëm në rritjen ekonomike. Ekspertët kanë dyshime se kërkesa private është përmirësuar mjaftueshëm për të kompensuar rënien e investimeve publike. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se do të rishikojë projeksionet e veta për rritjen ekonomike. Ndonëse nuk bën të ditur shifra, besohet se pritshmëritë për rritjen vjetore, pas frenimit të tremujorit të II, kanë zbritur poshtë parashikimit fillestar prej rreth 2%.