
Tarifat e telefonise celulare do te behen te njejta si brenda dhe jashte rrjetit
Operatorët celularë do të detyrohen të aplikojnë tarifa të njëjta për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit. Tarifat jashtë rrjetit shumë të larta vijojnë të mbajnë abonentët të mbyllur brenda rrjetit edhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Bie ndjeshëm numri i abonentëve celularë dhe të telefonisë fikse. Mesatarisht flasim 6 orë në muaj në telefon dhe dërgojmë 39 sms.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, bazuar në analizën e tregut, ka vendosur ndoshta masën më të fortë rregullatore të marrë ndonjëherë në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Operatorët jo vetëm që detyrohen të aplikojnë tarifa të njëjta standarde, por nuk do të lejohen të bëjnë diferencime as në paketat ofertë.
Njësitë e komunikimit brenda rrjetit duhet të jenë të njëjta me ato drejt operatorëve të tjerë, çka, mes të tjerash, do të thotë se paketat që ofrojnë komunikim pa limit brenda rrjetit praktikisht do të zhduken.
Ky vendim është marrë pas shqetësimeve të shprehura nga dy operatorët me pjesë tregu më të vogël, që prej vitesh amkohen se operatorët e mëdhenj po aplikojnë tarifa diskriminuese për thirrjet jashtë rrjetit, me qëllim mbajtjen e përdoruesve në rrjetet e tyre. Rregullimi i këtij problemi është edhe rekomandimi kryesor i Autoritetit të Konkurrencës, në përfundim të hetitimit të kryer vitin e kaluar. Besohet se kjo masë do të krijojë hapësira më të mëdha konkurrence për operatorët me pjesë më të ulët në treg.
Gjithashtu, AKEP ka vendosur uljen e mëtejshme të tarifave të thirrjeve me shumicë, që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për kryerjen e thirjreve në rrjetet respektive. Duke filluar nga 1 Dhjetori 2014, kjo tarifë do të ulet në 1.48 lekë për të tre operatorët, “AMC”, “Vodafone Albania” dhe për rrjetin celular të “Albtelecom”.
Nga ana tjetër, AKEP ka vendosur të ruajë të pandryshuar tarifën për operatorin “Plus”, në 6.52 lekë për minutë. Kjo do të thotë se “Plus” do t’i lejohet një tarifë terminimi 4.4 herë më e lartë krahasuar me operatorët e tjerë.
Në fakt, në shumicën e vendeve, operatorëve që hyjnë vonë në treg, siç është rasti i “Plus”, iu lejohet që në vitet e parë të aktivitetit të kenë tarifa terminimi më të larta krahasuar me operatorët e tjerë. Kjo bëhet pikërisht për të zbutur dizavantazhin nga hyrja më e vonuar në treg. Por, po të kemi parasysh se në 2015 “Plus” regjistron vitin e pestë të aktivitetit, vendimi i AKEP për të lejuar një asimetri kaq të thellë tarifore është i pazakontë.
Për më tepër, ky vendim bie haptazi ndesh me parimin e mosdiskriminimit, që këtë herë është vendosur më shprehimisht se kurrë, duke i ndaluar operatorët të aplikojnë tarifa më të larta për thirrjet jashtë rrjetit.
Kjo do të thotë se tre operatorët e tjerë celularë nuk mund të vendosin tarifa me pakicë më të ulëta se 6.52 lekë për minutë, plus TVSH, sepse përndryshe shërbimi do të ofrohej me humbje. Ndërkohë, “Plus” ka hapësira për të ofruar tarifa më të lira, duke qënë se paguan shumë herë më pak për terminimin e thirrjeve në rrjetet e tjerë. Me qëllimin për të ndihmuar “Plus” të qëndrojë në treg, tashmë peshorja e diskriminimit mund të anojë drejt operatorëve të tjerë dhe ndaj përdoruesve të tyre.
Më të lexuarat








