Nga 76 kantiere ndertimi, ne 2015-en perfundojne vetem 15
Pjesa më e madhe e rrugëve në ndërtim nuk do të jenë gati për qytetarët në fund të vitit 2015, pasi me buxhetin e akodruar për Ministrinë e Transportit dhe të infratsrukturës do të arrihet që brenda vitit të ardhshëm të mbyllen vetëm 15 prej tyre nga 76 në total.
Lajmi është bërë me dije nga Ministri Edmond Haxhinasto gjatë prezantimit të projektbuxhetit përpara Komisionit Parlamentar të Veprimtarve Prodhuese. Qeveria ka parashikuar të investojë 40.39 miliardë lekë për punime infrastrukturore, gjysma e të cilave do të shkojnë për transportin rrugor. Por ministri Edmond Haxhinasto thotë se me këto mundësi financimi, pjesa më e madhe e kantiereve të ndërtimit do të vijojnë të mbeten të hapura edhe pas vitit 2015. “Kemi financuar 76 kantierë dhe vetëm 15 prej tyre përfundojnë brenda këtij viti, që do të thotë se shumë prej tyre mbeten të hapura e që do të përkthehet në kosto shtesë”, ka thënë Haxhinasto. Një prej tyre është Unaza e Re në kryeqytet, ku në projektin fillestar nuk është parashikuar urbanizimi i zonës, si dhe hyrje-daljet në pjesët me densitet të lartë popullësie.
Ministri Haxhinasto tha se për të përfunduar projektin do të duhen edhe 10 milionë dollarë shtesë. Ndërkohë, një tjetër zë i rritur në buxhet është ai për ujesjellës-kanalizimet, që në total kap shifrën e 15.61 miliardë lekë. “20 për qind e popullësisë nuk shërbehet me ujë, trajtimi i ujërave të zeza është në qytet 65% ndërsa në fshat 90%”, ka shtuar Haxhinasto. Ministri Haxhinasto ka shtuar se prioritet do të kenë rrugët që lidhin akset kryesore me zonat turistike dhe pikat kufitare.
Nga ana tjetër një pjesë e rëndësishme e buxhetit do të shkojë edhe për pagesat e prapambetura ndaj bizneseve. Një shqetësim tjetër i ngritur nga deputetët në komision ishte edhe përfundimi i Unazës së Madhe të Tiranës, një projekt që po zvarritet prej vitesh. Buxheti i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës në total për vitin 2015 është rreth 40.39 miliardë lekë. Rreth 4.4 miliardë janë parashikuar të shkojnë për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore