Banka Boterore i terheq vemendjen Shqiperise: Kujdes me investimet publike
Banka Botërore dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë prezantuan dje raportin “Mbi vlerësimin e shpenzimeve publike dhe llogaridhënies financiare për Shqipërinë”.
Raporti vëren se, në përgjithësi, Shqipëria ka shënuar progres në disa drejtime si besueshmëria e buxhetit, elementë të transparencës fiskale, monitorimi i shpenzimeve të detyrimeve dhe prokurimet.
Raporti, po ashtu, identifikon fushat kryesore që kërkojnë më shumë vëmendje dhe që përfshijnë: monitorimin e njësive jobuxhetore, menaxhimin e investimeve publike, lidhjen më të mirë midis strategjive sektoriale dhe buxhetit, monitorimin sistematik të detyrimeve, përmbushjen e gjetjeve të auditit të jashtëm si dhe një rol më të fuqishëm të Parlamentit, si institucioni kryesor i llogaridhënies.
“Forcimi i menaxhimit të financave publike duhet të jetë një prioritet për Shqipërinë. Arritja e vlerës më të mirë të parave, që vijnë nga fonde publike është edhe rruga më efektive për përmirësimin e shërbimeve bazë për qytetarët. Në përgjithësi, raporti vë në dukje se Shqipëria ka avancuar në disa fusha si, kredibiliteti buxhetor, elementë të transparencës fiskale, monitorimi i shpenzimeve, detyrimet e prapambetura të prokurimeve. Ndërsa, në monitorimin e njësive ekstrabuxhetore, menaxhimin e investimeve publike nevojitet një përmirësim, lidhje më të mira midis strategjisë dhe buxhetit, ndjekja sistematike e detyrimeve të prapambetura dhe forcimi i Parlamentit si institucion kryesor i kërkimit të llogarisë”, tha Maryam Salim, menaxherja e zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.
Sipas të dhënave të raportit, Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive për menaxhimin e borxhit publik dhe vlerësim më të ulët në shpenzimet buxhetore dhe menaxhimin e investimeve publike. Për të ardhmen, Banka Botërore shpreh mbështetjen e vazhdueshme në lidhje me sistemet e menaxhimit financiar publik. Banka është e gatshme t‘i ofrojë asistencë qeverisë për përditësimin e strategjisë së MFP-së.