Aeroporti i Vlores, Gjiknuri: Nga projekti hapen 1.000 vende pune
Komisioni i Ekonomisë është mbledhur ditën e sotme për një interpelancë me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri lidhur me propozimin e konsorciumit turk për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri tha se ky investim madhor do të sjellë përfitime të konsiderueshme në sektorin e turizmit.
Sipas Gjiknurit “qeveria shqiptare ka zgjedhur formulën e Partneritetit Publik Privat, ku riskun e investimit do ta marrë përsipër konsorciumi turk.”.
“Qeveria do të marrë vetëm risqe minimale fiskale, për një projekt që do të hapë 1000 vende pune permanente. Nga ana ligjore propozimi është i mbështetur në Kushtetutë. Nga pikëpamja e transparencës gjithçka do të shqyrtohet dhe do të kalojë nga Parlamenti”, deklaroi ministri.
Ndërkohë ministri Ahmetaj nënvizoi se hyrja në tregun ajror shqiptar të një aeroporti tjetër do të bëjë të mundur heqjen e monopolit nga aeroporti i Rinasit dhe do të rrisë konkurrencën në këtë sektor.
“Në fillesat e veta, Aeroporti i Vlorës do të arrijë në 600 mijë pasagjerë dhe parashikimi që bën kompania është në terma ndërkombëtarë dhe arrin në rreth 7% rritje çdo vit të numrit të pasagjerëve. Kompania garanton ndërtimin e Aeroportit të Vlorës me fondet e veta pa ndërhyrjen e qeverisë. Mirëmbajtja do të kryhet falë një marrëdhënie kontraktuale afatgjatë me shtetin shqiptarë”, u shpreh Ahmetaj.
Kujtojmë se vetëm një ditë më parë në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, me votat e e mazhorancës u miratua projektligji që autorizon qeverinë për të negociuar një kontratë koncesionare për ndërtimin e një aeroporti të ri ndërkombëtar në Vlorë. | Gazeta Shqip