Mbyllen 9 lokale te tjera nate ne Tirane, shkak ndotja akustike
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit mbrëmjen e djeshme zhvilloi një aksion tjetër për mbylljen e disa lokaleve të natës. Sipas ISHM këto lokale vazhdojnë të jenë problem në Qarkun e Tiranës.
Kështu gjatë kontrollit të ushtruar, në kryeqytet, aksioni i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, konkludoi me mbylljen e 9 lokaleve të tjera të natës, kryesisht të muzikës tallave, për mungesë dokumentacioni dhe mos plotësim të kushteve të sigurisë.
Edhe javën e kaluar, një tjetër aksion i tillë çoi në mbylljen e 19 lokaleve të tjera të natës. Këto masa vijnë pas një urdhër kontrolli të ISHM dhe Drejtorit të Policisë së Tiranës Ardian Çipa ku është kërkuar masa emergjente për shmangien e rasteve të ngjashme si në lokalin Ante Grand ku humbën jetën 4 persona. Në bazë të komunikatës së Inspektoratit të Mjedisit, lokalet e mbyllura janë ndër më të frekuentuarat në kryeqytet, të cilat megjithatë nuk kishin leje mjedisore për zhurmën akustike që shkaktonin. "Bashkëpunim i suksesshëm me Policinë e Shtetit ka bërë të mundur që të mbyllen lokalet: Club Buterfly, Club Mexico, Club Candy Strep, Maria Bonita, Club Amsterdam, Muzike live Valentino, Muzik Live Zio Nino, Club Ferrari, Tallava Lili"- sqaron ISHM. Këto lokale sipas policisë së Tiranës prej kohësh ishin kthyer në shqetësim për qytetarët për shkak të zhurmave dhe problemeve që krijoheshin me konflikte ndërmjet klientëve.
Lokalet e mbyllura Club Buterfly Club Mexico Club Candy Strep Maria Bonita Club Amsterdam Muzike Live Valentino Muzik Live Zio Nino Club Ferrari Tallava Lili
Subjekteve u është pezulluar aktiviteti nga Ministria e Mjedisit pas revokimit të lejeve para disa ditësh.