Ligji i ri parashikon dënimin nga 1 deri në 8 vjet për këdo që shkel ligjin dhe bën ndërtime pa leje. Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ndryshimet në Kodin Penal, të cilat përfshijnë ashpërsimin e dënimeve për ata shtetas që bëjnë ndërtime pa leje apo çdo lloj punimi tjetër.
Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ndryshimet në Kodin Penal që parashikojnë ashpërsimin e dënimeve për ata që bëjnë ndërtime dhe çdo lloj punimi pa leje. Ligji i ri parashikon dënimin me 1 vit burg për këdo që ndërton pa leje dhe ka hequr mundësinë e gjobës për këta kundërvajtës. Gjithashtu, kjo vepër penale do të gjykohet jo më nga një gjykatës i vetëm, por nga një trupë gjyqtarësh e përbërë nga 3 persona. Dhe e fundit: dënimi nuk do të prekë vetëm "të zotin" e ndërtimit, por gjithkënd që e ndihmon atë në këtë proces: duke nënkuptuar edhe punëtorët dhe "ustallarët".
Ligji Ligji ekzistues i parashikon të dyja llojet e dënimeve kryesore, si dënimin me gjobë, edhe atë me burg, me një maksimale dënimi që shkon në 1 vit burgim. "Të tilla masa dënimi nuk kanë shërbyer aspak për të ndalur ndërtimet e paligjshme që kanë pushtuar gjithë territorin, nga veriu në jug, një arsye e mjaftueshme kjo për të kuptuar se duhet ashpërsuar masa dhe lloji i dënimit në mënyrë që dispozita të mund të sjellë efekt. Propozimi ynë është që dënimi për këtë vepër penale në çdo rast të jetë vetëm me burg, duke hequr mundësinë e aplikimit të një dënimi me gjobë", thuhet në relacionin shoqërues të ligjit që do të shqyrtohet në komisionet parlamentare.
Neni 199/a, i Kodit Penal aktual, nisur nga masat e dënimit që parashikon në të dy paragrafët e saj, paraqet një vepër penale e cila gjykohet me gjyqtar të vetëm, ndërkohë që masa që ne propozojmë në rastin kur vepra është e cilësuar, është e tillë që proceduralisht detyron gjykimin nga 3 gjyqtarë. "E veçanta e propozimeve që bëhen për riformulimin e nenit 199/a të Kodit Penal qëndron dhe në faktin e parashikimit të penalizimit për herë të parë të gjithë atyre personave që mundësojnë kryerjen e një ndërtimi të paligjshëm, në sajë të financimit, të aftësive intelektuale apo të tjera specifike që duhen për të ekzekutuar një ndërtim a punim", shpjegon qeveria në relacionin shoqërues të ligjit.