Secondary Adv

Votohet projektbuxheti 2015, ja si ndryshojne taksat


Pas gati 13 orësh diskutimi mazhoranca miratoi në parim buxhetin e vitit 2015, i cili u paraqit në Parlament nga Kryeministri Edi Rama. Paketa e re fiskale do t’i sigurojë arkës së shtetit rreth 160 milionë dollarë më shumë, edhe pse numri i masave lehtësuese është më i madh se ai i masave shtrënguese. Drafti parashikon 11 ndryshime që sjellin ulje apo zerim taksash dhe 3 masa që parashikojnë rritje taksash.


"Eshtë një buxhet me disa standarde të mirëpërcaktuara dhe me disa zgjidhje realiste për një situatë, ku potencialet janë padyshim të mjaftueshme për të arritur objektivin tonë minimal të një rritje ekonomike përtej 4 për qindëshit në fund të vitit të katërt të këtij mandati", tha Rama.
“Kemi frenuar rënien ekonomike, kemi frenuar gropën e madhe ekonomike që gjetëm në shtator 2013 dhe po konsolidojmë rritjen ekonomike me instrumentat buxhetorë”, saktësoi më pas ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. "Ky është një buxhet që vjen si rezultat i reflektimit të një pakete të re fiskale, që ul ose zeron 15 taksa, ndërkohë që rrit vetëm 3.


Paketa e re fiskale
Paketa e re fiskale do t’i sigurojë arkës së shtetit rreth 160 milionë dollarë më shumë, edhe pse numri i masave lehtësuese është më i madh se ai i masave shtrënguese. Drafti parashikon 11 ndryshime që sjellin ulje apo zerim taksash dhe 3 masa që parashikojnë rritje taksash. Dhe janë pikërisht këto 3 të fundit që do të mundësojnë këtë shtim të ardhurash. Por cilat janë taksat që rriten duke nisur nga janari i vitit 2015? Referuar paketës fiskale, një taksë që rritet është ajo mbi të ardhurat personale, ku rritja do të prekë depozitat, qeratë, dividentin dhe të ardhurat e tjera dytësore.
Rritja e parashikuar është nga 10 për qind në 15 për qind. Një taksë tjetër që rritet është ajo e qarkullimit, që rrit me 10 lekë taksën mbi karburantet.  Po ashtu, për vitin 2015 të ardhura të konsiderueshme në arkën e shtetit do të sigurojë edhe rritja me 20 lekë e akcizës së cigareve. Nga ana tjetër, në paketën e re fiskale janë parashikuar edhe disa lehtësi fiskale.


Lehtësitë fiskale
Një ndër lehtësitë fiskale që parashikohet është ajo për heqjen e akcizës për pijet energjike, edhe pse ka pikëpyetje nëse gjatë shqyrtimit nen për nen, kjo lehtësi do të mund të marrë miratimin e deputetëve të mazhorancës. Po ashtu, masa të tjera lehtësuese janë ulja e tarifës doganore për naftën bruto prej 10 % në 0 %, bërja 0 % e tarifës doganore për miellin e grurit, që aktualisht është 10 %, bërja 0 % e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë si  lëndë të para për industrinë apo blegtorinë, bërja 0 % e tarifës doganore për materialin biologjik, që aktualisht është 10 % si dhe bërja 10 % e tarifës për gomat e reja pneumatike, që aktualisht është 15  %.


Po ashtu, masa të tjera lehtësuese ndaj sektorëve përkatëse janë edhe përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat personale i kontributeve të punonjësve në fondin e pensionit vullnetar dhe rritja e përqindjes së rentës minerare. Këto dy masa, sipas relacionit, synojnë të mbështesin skemën private të sigurimeve shoqërore dhe zhvillimin e industrisë së përpunimit në vend. Mbetet për t’u parë nëse kjo paketë fiskale do të mund të kalojë pa ndryshime gjatë shqyrtimit nen për nen.
Deri më tani, deputetët e mazhorancës kanë shfaqur hapur rezervat për 2 prej këtyre masave, duke paralajmëruar mundësinë e rrëzimit të tyre. Një prej masave të kritikuara është ajo që rrit tatimin mbi depozitat, që sipas deputetëve, të mazhorancës nuk jep garanci se do të ketë efekt pozitiv dhe masa tjetër, ajo e heqjes së akcizës mbi pijet energjike, që sërish vlerësohet se nuk sjell efekt pozitiv në ekonomi.

Taksat që rriten
Taksa e qarkullimit rritet me 10 lekë
Akciza e cigareve rritet me 20 lekë/paketa
Tatimit mbi të ardhurat nga qeratë, dividenti e depozitat rritet me 5 %
 
Taksat që ulen dhe lehtësirat
-Hiqet akciza për pijet energjetike
-Ulet tarifa doganore për naftën bruto prej 10 % në 0 %.
-Bëhet 0 % tarifa doganore për miellin e grurit, që aktualisht është 10 %.
-Bëhet 0 % tarifa doganore për importin e lëndëve të para për industrinë apo blegtorinë
-Bëhet 0 % tarifa doganore për materialin biologjik, që aktualisht është 10 %
-Bëhet 10 % tarifa për gomat e reja pneumatike, që aktualisht është 15 %
-Përjashtohen nga tatimi sigurimet në fondet private


Më të lexuarat