Secondary Adv

Futja e biznesit te vogel ne TVSH, Tatimet: Nga 5 marsi nisin trajnimet ne 13 drejtori rajonale

Futja për herë të parë e biznesit të vogël në TVSH do të shoqërohet nga Tatimet me trajnime në 13 drejtori rajonale. Në një njoftim për shtyp Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se në këto trajnime mund të marrin pjesë të gjithë bizneset e vogla, përfaqësuesit e tyre apo persona të interesuar për t’u informuar rreth procesit.

 

“Në mbështetje të ligjit 92/2014, “Për TVSH-në në RSH”, i ndryshuar, neni 107/5, në VKM nr. 953 datë 29.12.2014, për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Neni 1, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, i cili hyn në fuqi nga data 1 Prill 2018, është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik.

 

Të gjithë bizneset që plotësojnë këtë kriter ligjor, përmes këtyre trajnimeve, do të mund të njihen hollësisht me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e këtyre librave, plotësimi i një fature tatimore etj..

 

Kalendari i trajnimeve është konceptuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë këtyre bizneseve sipas shtrirjes së tyre gjeografike. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e gatshme dhe ka të gjithë kapacitetet për të shtuar numrin e trajnimeve nëse kjo do të jetë e nevojshme. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, me synim ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së. Çdo subjekt i interesuar për të marrë pjesë në këto trajnime mund të kontaktojë paraprakisht punonjësin përkatës të administratës, përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e trajnimit si dhe për të rezervuar pjesëmarrjen” thuhet në njoftimin e Tatimeve.


Më të lexuarat