Secondary Adv

Ulet deficiti i skemes se pensioneve prej te ardhurave me te larta dhe efekteve te reformes

Në kushtet kur numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi dhe nga ana tjetër kontribuuesit në zonat rurale po bien, qeveria ka arritur të çojë në ulje deficitin e skemës së pensioneve. 

 

Sipas të dhënave të vitit 2017, deficiti i skemës së pensioneve arriti 45 miliardë lekë, duke u zvogëluar me rreth 5% në krahasim me vitin 2016. Rezultatet në reduktimin e deficitit në skemë e pensioneve erdhën nga ecuria pozitive në grumbullimin e të ardhurave nga sigurimet, të cilat gjatë vitit të kaluar arritën në rreth 74 miliardë lekë me një rritje vjetore 11 %. Arkëtimet u nxiten nga rritja e pagës minimale në shkallë vendi me 200 mijë lekë, çka ka ndikuar automatikisht pagesat për sigurimet.

 

Gjithashtu deficiti në ulje i skemës u stimulua edhe nga shpenzimet e kontrolluara për pensione. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore për pensionet arritën në 119 miliardë lekë më 2017, me një rritje vjetore 4.2 për qind. Kjo rritje ka qenë me e ulëta të paktën që nga viti 2002 edhe pse gjatë vitit të kaluar qeveria aplikoi rritjen e pensioneve nëpërmjet indeksimit me inflacionin. Deficiti i skemës së pensioneve është frenuar më së shumti nga reforma e pensioneve, që ka rritur moshën e daljes në pension e për rrjedhojë ka frenuar numrin e pensionistëve të rinj në skemë.

 

Vlera e deficitit në skemën e pensioneve është gati dyfish më e lartë se në vitin 2013, edhe pse në skemë janë shtuar 157 mijë kontribuues të rinj që nga 2013. Ekspertet në ISSH thonë  se, pa reformën do të kishim thellim të mëtejshëm për shkak se numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi. Skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht. Kjo paqëndrueshmëri financiare është rezultat i rritjes së shpejtë të masës së pensioneve para pak viteve. Shkaqe të tjera janë numri i ulët i kontribuesve, mosdeklarimi i pagës reale, numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, mosha e ulët e pensionistëve si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve ‘90 dhe mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori të veçanta, ndryshimet demografike, niveli i papunësisë dhe niveli i lartë i emigracionit i forcave të punës.

 

Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve. Të dhënat nga instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611,544 persona, me një shtesë prej mbi 12 mijë e 600 pensionistësh nga 2015-a.  |Monitor


Më të lexuarat