Secondary Adv

2017, rimbursimi i TVSH rritet me 56 per qind prej projekteve te medha

Rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar arriti vlerën më të lartë historike me 2017 që kur skema nisi të aplikohej. Shuma e kthyer mbrapsht të bizneset arriti në 13.9 miliardë lekë, më shumë se 100 milionë euro, me një rritje 56 për qind në raport më vitin 2016.

 

Vlera e lartë e rimbursimit të TVSH-së i dedikohet investimeve në projektet gazësjellësit TAP dhe HEC-et mbi lumin Devoll. Burimet nga tatimet pohojnë se rritja e shumës së TVSH-së së rimbursuar i dedikohet investimeve të mëdha, të cilat duket se kanë azhornuar rreth 40 për qind të totalit të disbursimeve. Investimet në projektin TAP dhe në kaskadën e Devollit janë në kulmin e tyre, ndaj dhe angazhimi i qeverisë për këto dy investime shihet të jetë më i lartë këtë vit në raport me vitin e kaluar dhe vitin ardhshëm.

E gjendur ne këtë situatë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po akumulon detyrime ndaj bizneseve. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për vitin 2016 ishin paraqitur 769 kërkesa për rimbursim të TVSH-së që i korrespondojnë një shume prej 19 miliardë lekësh. Nga kjo vlerë, janë miratuar për rimbursim 13.7 miliardë lekë. Janë rimbursuar deri në fund të dhjetorit 2016 mbi 10.4 miliardë dhe janë mbartur si detyrime për 2017 3.3 miliardë lekë.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se nga kërkesat e vitit 2016 rreth 133 prej tyre nuk ishin verifikuar dhe këtyre u korrespondonte një shumë prej 5 miliardë lekësh. Aktualisht rimbursimi i TVSH-së po bëhet nëpërmjet një procedure të mirëpërcaktuar, të fokusuar në analizën e riskut, sipas së cilës jo çdo kërkesë për rimbursim i nënshtrohet procedurave të kontrollit tatimor në vend. Në përputhje me Ligjin 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kërkesat për rimbursim të TVSH-së tashmë trajtohen dhe miratohen nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT (DRTVSH), në bashkëpunim me DRT-të.

 

Në varësi të rezultatit të analizës paraprake nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së, bëhet refuzimi ose pranimi i kërkesës për rimbursim.Rimbursimi i TVSH-së ka qenë një pikë e nxehtë në marrëdhëniet e bizneseve me administratën tatimore. Bizneset pretendojnë në vijimësi se ka vonesa në përfitimin e shumave, ndërsa tatimet në shumë raste kanë gjetur skema abuzimi me miliona euro gjatë procesit te rimbursimit.


Më të lexuarat