Kontributet per Sigurimet Shoqerore dhe Shendetesore: Si llogaritet per studentet dhe te punesuarit
Në varësi të nivelit të pagës, subjektit ku punon, si dhe me kushtet që është i punësuarit, parashikohet edhe derdhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore për efekt të skemës së pensioneve, si edhe kontributet shëndetësore.
Drejtoria e përgjithshme e tatimeve ka bërë publike informacionin se si llogaritet kontributet për nxënësit, studentët, si dhe të punësuarit me kontratë pune më pak se 87 orë/muaj. Kështu për:
1.Për nxënësit e shkollave të mesme profesionale, si dhe studentët për kohën e programuar të praktikës mësimore, kontributi i detyrueshëm për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale të jetë 0.3 për qind e pagës bruto minimale, e barabartë me 66 lekë në muaj. Vendimi sqaron se kontributet paguhen nga subjekti ku kryhet praktika dhe për aq kohë sa është përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet tij dhe institucionit përgjegjës ose mund të shlyhet tërësisht edhe nga institucioni përgjegjës.
2.Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të jetë:
a) për sigurimet shoqërore, 23.3 për qind të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 13.9 për qind dhe pjesa e të punësuarit 9.4 për qind, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore;
b) për sigurimin e kujdesit shëndetësor, 3.4 për qind të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7 për qind dhe pjesa e të punësuarit 1.7 për qind, por jo më pak se paga minimale e përcaktuar në vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor. Paga minimale llogaritet 24,000 lekë në muaj./Scan