Secondary Adv

Implementimi i TVSH tek Biznesi i vogel! Avantazhet dhe disavantazhet

Për të gjykuar mbi implementimin e TVSH tek biznesi i vogël në datën 1 prill 2018, duhet fillimisht të kuptojmë  si funksionon tregu kur kjo tvsh është 0, dhe më pas të kuptojmë se si do të funksionojë kur kjo tvsh të jetë 20%.

TVSH 0 %

Aktualisht biznesi i vogël blen shërbime dhe produkte të cilat i shërbejnë për të realizuar aktivitetin e tyre, pa tvsh. Praktikisht çmimet e produkteve dhe shërbimeve që biznesi i vogël aplikon, janë të njëjta me ato të biznesit të madh, për të mos thënë që në disa raste jane më të larta.  Diferencën mes cmimit të shitjes dhe cmimit të blerjes së produkteve dhe shërbimeve, biznesi i vogël e konsideron fitim. Për të maksimizuar këtë fitim , biznesi i vogël është i prirur të blejë produkte dhe shërbime me çmim më të ulët, si rrjedhojë blerje pa tvsh. Si rezultat i kësaj prirje të biznesit të vogël për të blerë pa tvsh , lindin oferta nga biznese furnitore të cilat duke operuar në informalitet, i ofrojnë biznesit të vogël furnizime të faturuara pa tvsh , dhe në të shumtën e rasteve edhe pa faturë tatimore. Në fund të fundit, biznesit të vogël nuk i intereson as fatura, pasi tatimi mbi fitimin është 0 %.

 

TVSH 20%

Aplikimi i tvsh 20 % tek biznesi i vogël shihet me skepticizëm nga shumë palë interesi të cilat do ti analizojmë më pas. Biznesi i vogël, tani është i detyruar të shesë produktet dhe shërbimet me tvsh 20%. Duke qenë se çmimet e produkteve dhe shërbimeve që biznesi i vogël ofron kur tvsh ishte 0 % janë të njëjta ose më të larta se çmimet që biznesi i madh ofron, atëherë rritja e këtyre çmimeve me implementimin e tvsh është praktikisht i pamundur. Biznesi i vogël tani duhet të paguajë tvsh e marrë nga klienti në llogaritë e tatimeve. Për ta zvogëluar sa më shumë këtë vlerë , biznesi i vogël do të kushtëzojë furnitorët e tij që të shesin dhe faturojnë me tvsh.

 

Rezultati

Një pjesë e madhe e bizneseve të vogla e kanë bazuar mbijetesën në fitime relativisht të ulta dhe aplikimi i tvsh 20% do të sjellë një renie të fitimit minimalisht me 20%. Kësaj vlere i duhen shtuar edhe kostot administrative të cilat shkojnë minimalisht në 10% të fitimit, kosto si:  mbajtja e llogarive, komisioneve bankare, humbje në furnizim dhe kohë e shpenzuar. Të gjitha këto, pasi pjesa më e madhe e bizneseve të vogla nuk janë në gjendje ti realizojnë vetë.

Ajo që i irriton këto biznese është fakti se si Qeveria dhe Ministria e Financave nuk kanë marrë parasysh çdo të bëhet me bizneset të cilat nuk e përballojnë dot këtë renie të fitimit dhe si rezultat do të detyrohen të mbyllen ashtu siç po ndodh realisht në zyrat e QKB, duke krijuar në këtë mënyrë papunësi të shtuar në vend. Kjo papunësi do të sjellë si rezultat edhe rënien e konsumit. Palë tjetër interesi janë dhe furnitorët të cilët e kanë ngritur aktivitetin e tyre mbi bazën e informalitetit. Këta furnitorë duke qenë të detyruar të faturojnë furnizimet si rezultat i kërkesës nga biznesi i vogël, do të jenë më pak konkurentë në treg, duke sjellë humbje të të ardhurave dhe në shumë raste dhe mbyllje të aktivitetit.

 

Çfarë të mire do të sillte aplikimi i tvsh 20% tek biznesi i vogël?

Kjo levizje do të sjellë eleminimin e informalitetit nga ana e furnitorëve, si rezultat një konkurencë më të drejtë në biznesin e madh. Kjo konkurencë e drejtë do të sjellë një zhvillim të bizneseve formale, të cilat kanë krijuar bazat e aktivitetit të tyre duke marrë parasysh pagesën e të gjitha taksave të nevojshme. Si rezultat i formalizimit të biznesit të madh, tatimet do të arkëtojnë më shumë të ardhura.

 

Nga ana tjetër, rritja e konkurencës tek biznesi i vogël dhe eleminimi nga tregu i një pjese të madhe të bizneseve të vogla të cilat nuk do ti mbijetojnë dot këtij ndryshimi, do të sjellë një rritje të të ardhurave tek bizneset e vogla të cilat do të  mbijetojnë dhe që gjithashtu kanë një strukturë operimi më formale. Pa dyshim që reforma të kësaj natyre , shoqërohen me efekte pozitive dhe negative. Për sa i përket efekteve negative, ato janë afatshkurtra, të dhimbshme për shumë individë, të vështira për administratën dhe gjithashtu me një impakt social dhe ekonomik negativ.

 

Nga ana tjetër efektet pozitive të kësaj reforme do të shihen në afatgjatë, atëher kur menaxhimi I kësaj ngarkese nga ana e administratës të stabilizohet. Informaliteti do të ulet në mënyrë të konsiderueshme dhe bizneset të cilat do të qëndrojnë në treg do të fuqizohen duke sjellë rritjen e investimeve dhe vendeve të punës.


Padyshim që e tashmja do të jetë e vështirë, por formalizimi i biznesit në Shqipëri është i domosdoshëm.

 

Brian Bala


Më të lexuarat