Secondary Adv

Rama: Qytetaret aksionere ne OSHEE, ndertojme linje gazi Shqiperi-Kosove

Arritjet në sektorin e energjisë gjatë drejtimit 5 vjeçar të vendit nga qeveria Rama dhe nisja e një projekti për liberalizmin e tregut të energjisë dhe gazifikimin e vendit, kanë qenë kryefjala në prezantimin që kryeministri i ka bërë sot Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2018-2030.

 

Rama tha se kompania e shpërndarjes së energjisë u trashëgua tek qeveria e tij në një fazë dramatike të ekzistencës së vetë, por tashmë ajo ka pësuar një transformim që nuk do të ndalet.

 

“Vendosëm ligjshmërinë  për energjinë. Për të mbajtur në këmbë sistemin e shpërndarjes, por edhe për të realizuar shpërndarjen e energjisë tek konsumatorët qeveria paguante humbje që i afroheshin 50% dhe është parashikuar që ato të shkojnë në 10%, që do të ishte e njëjtë me normën e BE-së”, deklaroi kreu i ekzekutivit. 

Sipas Ramës në tregun e energjisë do të ndërmerret një proces kurajoz liberalizmi, ku “parashikohet të kemi një hapje 100% të tregut të energjisë”.

 

“Sot falë këtij procesi kemi nisur përgatitjet për një tjetër hap shumë të rëndësishëm, që do të krijojë një atmosferë të re mes qytetarëve dhe OSHEE. Kemi nisur punën për një IPO dhe shpresojmë që deri në fund të 2018 t’i ofrojmë qytetarëve mundësinë e pjesëmarrjes si aksionarë në kompaninë e shpërndarjes së energjisë. Qytetarët do të përfshihen në aksionariatin e kompanisë si kontribuues dhe përfitues. Kjo është e mundshme dhe e nevojshme për ta çuar kompaninë në një stad të ri. Liberalizmi i tregut do të sjellë përmirësime të jashtëzakonshme në çdo aspekt të sektorit energjetik”, u shpreh kryeministri.

 

Ai shtoi më tej se synohet edhe “gazifkimi në tërësi i vendit, por kjo përbën një potencial dhe sfidë të madhe”. 

“Për të shfrytëzuar maksimalisht TAP-in dhe për të vijuar më tej me gazsjellësin Adriatiko-Jonian dhe lidhjen e mundshme Shqipëri-Kosovë me linjën e mundshme të gazit natyror. Harmonizojmë tregun tonë të brendshëm të energjisë me atë rajonal dhe evropian”, theksoi Rama./Shqip


Më të lexuarat