Kryeministri: Pagesa ne rrugen e Kombit, nuk nis pa gjetur zgjidhje per banoret
Pagesa në rrugën e Kombit nuk do të nisë pa dhënë ndihmën e nevojshme q u takon banorëve të zonës, tha sot Kryeministri i Edi Rama gjatë diskutimit në seancën Plenare në Kuvend.
“Nuk do ta fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë ndihmën më të mirë të mundshme për banorët e zonës. Është një punë e vështirë të parashikohet gjithçka përpara, pa pasur shifrat e 6 mujorit të parë, por ne ia detyrojmë këtë të gjithë njerëzve të asaj zone dhe duke bërë më të mirën e mundshme do të arrijmë të lehtësojmë barrën e tyre dhe ta bëjmë të funksionojë sistem” tha ai. Sistemin e pagesës në Rrugën e Kombit është jashtë funksionit që nga java e kaluar kur qytetarët e Kukësit gjatë protestës dëmtuan sportelet.
Rama ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për të kërkuar ndjesë qytetarëve të Kukësit, duke premtuar se sistemi i pagesës nuk do të nisë pa gjetur më parë një zgjidhje të pranueshme për ta. Duke folur me tej për këtë çështje Kryeministri tha se kontrata e koncesionit u bë duke marrë në konsideratë modelet ndërkombëtare, teksa qeveria ka qenë e papërgatitur për impaktin që do të ketë.
Kryeministri ka përzgjedhur një gjuhë delikatë për të çuar mesazhet tek qytetarët e Kukësit, duke i sjellë në vëmendje detyrimet që qeveria ndaj qytetarëve, duke kërkuar ndjesë për mungesën e përvojës në koncesionet me pagese të rrugës./Monitor