Secondary Adv

Sektori i ndertimit u rrit 11.2 perqind vitin e kaluar, ritmi me i larte qe nga 2002

Sektori i ndërtimit u rrit me ritme dyshifrore vitin e kaluar, pas investimeve voluminoze në sektorin e banesave në qytetet kryesore dhe sidomos në Tiranë.

 

Sipas të dhënave të INSTAT sektorit i ndërtimit u rrit më 2017 më 11.2 për qind. Ky ishte ritmi më i lartë i rritjes që nga viti 2002 ku sektori u zgjerua me 11.8% (shih grafikun e më poshtë).

Ndërtimi u rrit katër herë më shumë se, mesatarja e sektorëve të tjerë, duke u shndërruar sërish në motorin e rritjes ekonomike të vendit pas eksperimenteve gati dëshpëruese dhe pa rezultat të bizneseve shqiptare për t’u diversifikuar në linjat prodhuese si bujqësia dhe industria.

 

Mungesa e alternativave për investime dhe rritja e likuiditeteve prej prurjeve të turizmit, remitancave, por edhe ekonomisë informale i kanë nxitur edhe njëherë vrullshëm investimet në ndërtim, sidomos banesa. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në total, në gjithë vendin në 2017-n janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë. Përqendrimi më i madh i lejeve ka qenë në kryeqytet, ku për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje me një rritje prej 118% në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë.

 

Teksa modeli i ekonomik i ka kthyer timonin nga ndërtimi, ekspertët e ekonomisë dhe analistët e bankave lajmërojnë rreziqe sidomos për produktivitetin e ulët që ato kanë në ekonomi. Nuk kanë kaluar as një dekadë që ku stabilishmenti i ekspertëve të ekonomisë inicioi një debat se Shqipëria duhet të ndryshonte modelin ekonomik nga ndërtimi dhe konsumi drejt sektorëve me produktive. Mirëpo diskutimet për modelin nuk morën preokupimin e qeverive shqiptare, cilat nuk i dhanë një prioritet të qartë zhvillimit të ekonomisë shqiptare duke e lënë biznesin të orientohet kuturu.

 

Të dhënat sugjerojnë se ekonomia e vendit ka hyrë në një fazë ku kursimet e shqiptarëve po krijohen në mënyrë të limituar, ndaj mënyrat për investimin e tyre duhen studiuar më shumë kujdes. Ndërtimi në periudhë afatshkurtër ka kthim të shpejtë të investimit dhe fitim të lartë, por në periudhë afatgjatë këto investime nuk janë produktive, dmth nuk gjenerojnë punësim dhe të ardhura.

 

Ekspertët rekomandojnë se politikat qeveritare duhet të orientojnë fondet e biznesit drejt projekteve fisibël, sidomos në teknologji dhe në kualifikimin e forcës së punës. Ekspertët e sektorit bankar shohin fizibël projektet në ndërtimin e banesave për rezidentet në Tiranë dhe investimet për në hoteleri në sektorin e turizmit./Ballkanweb


Më të lexuarat