Rama: Ndeshkim per ata qe derdhin ujerat e zeza ne det
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Panairin e Turizmit, theksoi se vendi ynë ka një pozicion strategjik për turizmin, por mundësitë tona për të ofruar shërbime janë të pakta. Ai deklaroi se vitin e shkuar të ardhurat nga turizmi u rritën me 10 për qind.
“Sot Shqipëria është një vend që gëzon një pozicion shumë strategjik në raport me interesin e shumë turistëve për ta vizituar. Jemi pjesë e një hapësire konkurrence të fortë dhe nga ana tjetër duhet të përballim me boshllëkun e krijuar ndër vite, në raport me konkurrentët tanë. Jemi në një moment ku shohim një rritje të të ardhurave vjetore të ndikuar nga rrija e turistëve të huaj, me rreth 10 për qind vetëm në vitin e shkuar.
Kjo është një rritje e kushtëzuar, pasi kërkesa është e madhe në raport me mundësitë tona për t’iu përgjigjur. Të rrisim ofertën për të përballuar një kërkese që vjen gjithmonë e në rritje”, deklaroi kryeministri Rama. Ashtu si ministri Klosi, Rama theksoi se kush do të kapet në shkelje dotë rrezikojë të humbasë të gjithë të ardhurat e parashikuara për të fituar nga turizmi. “E përsëris mesazhin e Ministrit për të gjithë strukturat pritëse që kanë marrë prej disa kohësh një lajm shumë të qartë nga qeveria përmes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Nuk do të lejojmë dhe do të ndëshkojmë struktura pritëse në bregdet që derdhin ujërat e zeza në det.
Të gjitha strukturat pritëse në bregdet duhet të marrin masa për tu pajisur me sistemet e deporimit dhe për të garantuar që çka është domosdoshmëria e aktivitetit të tyre të mos kthehet në një kosto as për mjedisin, as për vizitorët dhe as imazhin e vendit tonë. Jemi të vetëdijshëm që në këtë sezon nuk do të arrijmë të bëjmë gjithçka në këtë drejtim por të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se kushdo të gjendet në shkelje të këtij kushti nuk do të tolerohet dhe do të rrezikojë të humbasë të gjithë të ardhurat e pritshme nga sezoni turistik”./Shqip