Zhbllokohen 9 miliard leke detyrime te prapambetura per bizneset
Procesi i auditimit të shlyrjes së detyrimeve të prapambetura nga kompania Ernst & Young ka përfunduar dhe tani hapet rruga për disburësimin edhe të rreth 9 miliardë lekëve të tjera. Burimet në Ministrinë e Financave bëjnë me dije se, bazuar në punën e deritanishme të auditimit ndërkombëtar, nuk u gjetën parregullsi të rëndësishme, duke i lënë kështu udhë lirë dhënjes e këstit të mbetur.
Ernst & Young, një kompani auditimi e kontraktuar nga qeveria shqiptare me fondet e Bashkimit Europian zhvilloi një proces verefikimi, nëse shlyrja e detyrimeve të prapambetura nga Ministria e Financave ka qenë e rregullt. Ky audit bllokoi përkohësisht disburësimin e fondit të parashikuar.
Detyrimet e prapambetura Deri në fund të shtatorit, Ministria e Financave ka alokuar rreth 25,9 miliard lekë detyrime të prapambetura sipas kategorive: investimet publike (janë alokuar 8.4 miliard lekë, në rimbursimi e TVSH-së alokuar rreth 12.5 dhe në sektorin energjetik rreth 4.4 miliard lekë.
Duke llogaritur edhe detyrimet e paguara në dhjetor 2013 për personat me aftësi të kufizuar, ku janë shlyer rreth 2 miliard lekë dhe për sektorin e infrastrukturës rrugore 3miliard lekë, në total fatura e borxheve të vjetra të alokuara deri më tani arrin gati 35 miliard lekë.
Në buxhetin e vitit 2014, në kuadër të kësaj strategjie, është parashikuar të shlyhen 35 miliard lekë fatura të prapambetura. Në lidhje me rimbursimin e TVSH, pas rakordimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ministria e Financës ka shpallur listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, subjekte për të cilat ka alokuar rreth 13.5 miliard lekë.
Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për “investimet publike’, është proçesuar deri në vitin 2012 dhe po vazhdohet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të vitit 2013. Ndërsa për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për “shpenzimet korente”, aktualisht janë proçeduar detyrimet e prapambetura në sektorin e shëndetësisë dhe dhe është në proces shlyerja e detyrimeve për sektorët e tjerë. Në kategorinë “të tjera” janë proceduar detyrimet e prapambetura për vendimet gjyqësore dhe shpronësimet.