Brenda dy viteve të ardhshme qeveria ka planifikuar që 38% e energjisë që konsumohet në Shqipëri të vijë nga dielli ose era.
Entela Çipa, këshilltare për çështjet e energjisë në Ministrinë e Infrastrukturës tregon se shumë shpejt do të nisin investimet në parqet me energji që prodhohet nga dielli dhe era, projekte të cilat variojnë nga 300-500 milionë euro investime. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të ketë sërish ndryshime. Pas futjes në skemë të biznesit të vogël me xhiro nga 2-5 milionë lekë qeveria ka vendosur të rishikojë listën e përjashtimeve duke e zgjeruar atë me dy kategori.
Për të nxitur investimet në këtë sektor, qeveria ka vendosur të përjashtojë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të gjitha makineritë dhe pajisjet për projekte me vlerë mbi 50 milionë lekë. Kërkesat më të mëdha për të ndërtuar impiante me erë dhe diell janë në zonën e Fierit dhe të Vlorës.
Përjashtimi nga TVSH-ja apo zerimi i këtij detyrimi për fotovoltaikët vjen në kushtet kur ky sektor po merr gjithmonë e më shumë vëmendje dhe interes. Një politikë të ngjashme ka ndjekur edhe ish-Kryeministri Berisha i cili do të përjashtonte nga TVSH-ja gjithë makineritë dhe pajisjet që përdoreshin për ndërtimin e hidrocentraleve por duke vendosur si kusht vlerën e investimit. Ministri Ahmetaj nuk ka dhënë detaje të mëtejshme nëse përjashtimi për pajisjet dhe makineritë që përdoren tek fotovoltaikët do të ketë si kriter masën e investimit por kjo pritet të shihet në vijim.
Aktualisht nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë janë dhënë disa autorizime ndërkohe që po këtë vit pritet që të zhvillohet ankandi I parë për centralin e parë fotovoltaik që po asistohet në çdo hap nga ana e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në prill të vitit të kaluar hyri në fuqi ligji për burimet e energjisë së rinovueshme çka solli një lumë aplikimesh pranë Ministrisë për Infrastrukturën dhe Energjinë për parqe fotovoltaike deri në 2 MË që sipas legjislacionit miratohen vetëm më autorizim të ministrisë. Aktualisht qeveria ka rishikuar planin e veprimit për energjinë deri në vitin 2030 si dhe strategjinë për sektorin.