KKT : Dy resorte te reja ne Jal, kater HEC-e dhe tre plane vendore ne axhende
Këshilli Kombëtar i Territorit ka përfshirë në axhendën e tij të radhës këtë të premte 18 pika për miratim ku, mes të tjerave, bien në sy dy resorte turistike të reja në zonën e Jalit, rishikimi i kushteve të lejes për një tjetër resort tek Gjiri i Lalëzit, katër hidrocentrale dhe tre plane vendore.
Kjo është hera e parë pas një serie mbledhjesh që KKT vendos të mos fokusohet tek ndërtimet shumëkatëshe në Tiranë. Por cilat janë në detaj resortet, HEC-et dhe planet vendore që pritet të kalojnë sot.
Resortet turistike
Axhenda e KKT përfshin tre pika që lidhen me leje për resorte turistike. Konkretisht janë dy leje ndërtimi që pritet të kalojnë ku e para për objektin: “Resorti turistik “Soleil 2”, me vendndodhje në Jal, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Soleil & Sea” sh.p.k. dhe e dyta për resortin turistik “Soleil Vip Hotel”, me vendndodhje po në Jal dhe me të njëjtin subjekt zhvillues. Subjekti ka të zhvilluar tashmë disa struktura në të njëjtën zonë gjeografike, duke përfshirë atë që njihet si Folie Marine. Subjekti Soleil & Sea sh.p.k. rezulton i regjistruar në QKR në vitin 2012 dhe me ortak të 100 për qind të kuotave Ardit Bajraktarin.
Një tjetër resort në axhendë është ai San Pietro tek Gjiri i Lalëzit, me subjekt zhvillues “Concord-Investment” sh.p.k., por për këtë të fundit Këshilli Kombëtar i Territorit duhet të rishikojë kushtet e lejes ekzistuese të ndërtimit.
Katër HEC-e marrin leje ndërtimi
Këshilli Kombëtar i Territorit ka në fokus të tij këtë të premte katër leje ndërtimi për hidrocentrale. Leja e parë parashikon ndërtimin e hidrocentralit “Vilë”, në ujërat e rrjedhës së mesme dhe të poshtme të luginës së përroit të Panaritit, Bashkia e Korçës, Qarku i Korçës. E dyta HEC-in “Strori” në përroin e Holtës dhe Seltës, degë e lumit Devoll, Bashkia e Gramshit, Qarku i Elbasanit. I treti është HEC “Meshurdh” në përroin e Meshurdhit dhe Shkozës, degë e Lumit Fan i Madh, Bashkia e Mirditës, Qarku i Lezhës. I katërti është HEC “Deni” në përroin e Përpizës, në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Mat, Bashkia e Bulqizës, Qarku i Dibrës.
Tre plane të tjera vendore gati për miratim
Të dhënat zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit tregojnë se deri më tani janë miratuar 29 plane vendore ndërkohë që 11 të tjera janë në proces. Lista e planeve të miratuara pritet që të shtohet edhe me të paktën tre Bashki, duke çuar totalin në 32 pasi KKT ka në axhendën e saj planin Vendor për Bashkitë e Klosit, Kavajës, Vau i Dejës. Një pjesë tjetër e bashkive janë ende në proces hartimi të planeve të tyre vendore./Monitor