
Apartamentet ne kryeqytet: Kohe e mire per blerje
Kërkesa e ulët në treg ka çuar në një rënie të ndjeshme të çmimeve të apartamenteve. Sipas agjentëve imobiliarë në periferi të Tiranës, tashmë banesat shiten deri në 15% më lirë, ndonëse për këtë ju duhet të negocioni fort.Pas bumit të ndërtimeve, çmimet e apartamenteve rezistuan për vite të tëra, duke u treguar “moskokëçarës” ndaj kërkesës shumë të ulët të blerësve.
Një zhvillim i cili dukej se po kapërcente edhe rregullën bazë të ekonomisë së tregut (kërkesë-ofertë), pra kur çmimi normalisht duhej të bjerë kur bie kërkesa, fliste për një strukturë jo shumë mirë të zhvillimit të këtij tregu, ku ndërtimi rezultoi të ishte peng i një zinxhiri të gjatë kleringu. Kjo bënte që gjithsecili të kërkojë të fitojë aq sa ka llogaritur në kohën që ka bërë punën, e për më tepër, shpenzimet e bëra në ndërtim (ndonëse një pjesë e mirë e tyre çalojnë për cilësi), nuk kanë qenë të kursyera. Më saktë, nisur nga etja e madhe e shqiptarëve për shtëpi, ndërtimi nuk gjendej para presionit për të llogaritur një vlerë minimale kostoje ndërtimi e shitje. Situata ndryshoi tërësisht që nga viti 2008, kur mbërritën njëherësh dy goditje për sektorin: ngopja e tregut dhe kriza financiare ndërkombëtare, të dyja me rezultatin e përbashkët e të dukshëm të uljes së kërkesës. Pas katër vitesh rezistencë, tregu i apartamenteve në zonat periferike të Tiranës, ka filluar të reflektojë ulje çmimesh.
Këtë periudhë, agjencitë imobiliare raportojnë çmime më të lira, prirja e së cilës filloi rreth dy vite më parë. Kur flasin për ndryshime çmimi, agjencitë u referohen luhatjeve.
Flasim për blloqet e ndërtesave stok, ndërsa asgjë nuk lëviz në zonat “vip” të Tiranës. Edhe kjo luhatje çmimi, më shumë se një ndryshim i dukshëm, është pjesë e tolerancës, në tratativat që klientët mund të bëjnë me ndërtuesit. Kjo tolerancë arrin deri në 15% sipas agjentëve imobiliarë.
Ervis Halili, agjent imobiliar pranë Century 21, tregon se “rënia e çmimeve vërehet kryesisht në periferi të Tiranës, ndërsa bëhet tolerancë nga shitësit edhe në zonat brenda Unazës. Çmimet e apartamenteve përreth Unazës së qytetit luhaten mes 750-850 euro/m², ndërsa në periferi të Tiranës, apartamentet kushtojnë 350-450 euro/m².
Rënien e çmimeve e konfirmon edhe Xheni Jahja, drejtuese e agjencisë imobiliare Tirana Real Estate. Sipas saj, “çmimet e shitjes janë më të ulëta se ato që afishohen dhe në realizimin e transaksionit, rënia arrin deri në 15%”.
Revista “Monitor”, edhe një vit më parë, ka shkruar se çmimet kishin filluar të luhateshin. Lëvizjet sporadike në zona e në kohë të ndryshme, bëjnë që panorama të mos jetë e njëjtë për agjencitë imobiliare. Kështu, nëse disa agjenci imobiliare janë përballur këtë vit me ulje, të tjera kompani i kanë hasur uljet që një vit më parë.
Dritan Caka, drejtuesi i agjencisë Dev Info, thotë se “këtë vit nuk ka pasur ndonjë ulje çmimi”. Ai mendon se niveli aktual i çmimeve të apartamenteve është më i ulëti dhe nuk ka hapësira të mëtejshme për reduktime.
Ndryshe e mendon agjenti imobiliar i Century 21, Ervis Halili, kur thekson se, “çuditërisht çmimet ende nuk po bien në nivelet që njerëzit presin”. Sipas tij, kompanitë e ndërtimit shpresojnë që lejet e ndërtimit të jenë të pakta dhe ata të kenë mundësi të shesin të tyret në të ardhmen, edhe duke pritur për një kohë më të gjatë”.
Sipas agjencive imobiliare “tregu imobiliar vazhdon të ketë të njëjtën përqasje vështirësie si edhe kompanitë e ndërtimit”. Kërkesa është rritur dhe këtë e pranojnë ndërtuesit e agjencive imobiliare, ndonëse, sipas tyre, shumë probleme bëjnë që kërkesa të mbetet e frenuar e të mos jetë në nivelet e pritshme. Sipas Halilit, kjo “lidhet me një sërë faktorësh që ndonjëherë nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me paranë. Një pengesë e tillë është dokumentacioni i pronës, kur ende kemi banesa të pahipotekuara. Pengesa të tjera janë: infrastruktura jo e plotë në periferi dhe cilësia e ndërtimit që, jo në të gjitha rastet, është ajo që presin prej ndërtuesve.
Fratari: Tirana, mundësi ndërtimi brenda saj
Fakti që çmimet e shitjes së apartamenteve kanë rënë ndjeshëm, e madje janë më të ulëtat e mundshme, e pranojnë edhe ndërtuesit. Sipas Hajredin Fratarit, pikërisht kjo ulje nxiti rritjen e shitjeve. Presidenti i Konfindustrisë pranon se “shitjet e apartamenteve kanë filluar të rriten”. Por, ndërtuesit nuk janë të vetmit që po tentojnë të vënë në lëvizje motorin e shitjeve të pasurive të patundshme.
Sipërmarrësit theksojnë se një mbështetje të fortë po e marrin edhe nga bankat. Së fundi, një pjesë e mirë e sistemit bankar po reklamon financimin për blerje shtëpish dhe vetë ata që ankoheshin deri dje (ndërtuesit), pranojnë se bankat janë bërë konkurruese në dhënien e kredive, ku brenda 3-4 ditësh aprovojnë kredinë. Pengesë sipas Fratarit vlerësohet të bëhet hipoteka.
Sipas tij, një zgjidhje e lirë është periferia e Tiranës. Kjo zonë ka çmimin më të ulët në Europë. “Nuk ka vend në Europë që të ketë apartamente me 400 euro/metër katror, 400 arrin kosto tani së bashku me taksat. Kemi Kosovën, ku në periferi të Prishtinës shitet me 750-800 euro, në periferi të Romës, kam ndërtuar e kam shitur me 3500 euro”, thekson Fratari.
Por, ndërsa në periferi ka mjaftueshëm banesa në dispozicion, një hapësirë tjetër që mund të zhvillohet shumë mirë është ajo brenda vetë Tiranës. “Po ta shohësh Tiranën nga lart është një qytet që mund të ndërtohet edhe një herë aq brenda Tiranës, brenda Unazës së vogël të saj. Ka shtëpi të pabanuara që mund të shemben e të zhvillohen me ndërtesa të reja”, – thotë Fratari. Ai tregon se nga një studim që kanë bërë një grup izraelit në vitin 1995 kanë nxjerrë se Tirana mund të arrijë në 1 milion banorë vetëm me ndërtimet e brendshme.
Më të lexuarat








