Secondary Adv

Paga minimale do te rritet, Veliaj: Do te propozohet ne vitin 2015

Paga minimale në 2015 do të rritet. Do të jetë ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë ajo që do të propozojë këtë rritje, por Ministri Erion Veliaj nuk dha detaje se sa pritet të rritet kjo pagë ose të paktën se sa do të propozohet paga minimale. Jo zyrtarisht mësohet se rritja e pages pritet të bëhet me 2 %, aq sa ishte edhe rritja ekonomike sipas FMN në Shqipëri për 2014. Në rast se do të jetë kjo rritja, punonjësit do të paguhen 500 lek më shumë pra nga 22.000 lek do të do të paguhen 22.500 lek.


Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, deklaroi në Kongresin e 5 të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, se vitin e ardhshëm do të nisin diskutimet për rritjen e pagës minimale në vend. Ai kërkoi mbështetjen e sindikatave për këtë çështje, ashtu si në rastin e reformës e pensioneve.
“Ashtu siç bashkëpunuam për reformën e pensioneve, është mirë të bashkëpunojmë edhe për çështje të tjera, si paga minimale. Ne jemi të vendosur që vitin tjetër ta rrisim pagën minimale në Shqipëri sepse besojmë se, në qoftë se kjo funksionon në të gjithë botën, duke qenë se paga minimale sjell mirëqenie të popullsisë, nuk ka arsye pse të mos funksionojë edhe në Shqipëri”, deklaroi ministri Veliaj.


Ai tha se reforma e pensioneve u negociua në mënyrë ideale falë debatit në Këshillin Kombëtar të Punës dhe u shpreh i kënaqur që për disa çështje konkrete, bashkëpunimi tripalësh mes sindikatave, punëdhënësve dhe qeverisë ka prodhuar rezultate të shkëlqyera. Sipas tij, vetëm vitin e fundit ekonomia jonë ka gjeneruar 81.352 vende pune në skemën e sigurimeve shoqërore.


“Askush nuk është naiv të thotë se këto vende pune janë të gjitha të reja. Por, nga 81.352 vendet e punës, rreth 1/3 janë vende të reja pune; 1/3 janë vende të zbardhura pune nga ekonomia e zezë falë kontributit të sindikatave që kanë denoncuar punën në të zezë, dhe 1/3 e mbetur janë të vetëpunësuarit e fshatit që kanë përfituar nga amnistia dhe po deklarohen për të pasur një pension dinjitoz nesër, njësoj si në qytet”, tha Veliaj.
Ai u bëri thirrje degëve rajonale të sindikatave që të denoncojnë punën në të zezë. “Në mënyrë që Inspektorati i Punës të zbardhë çdo vend pune, jo për të mbushur arkën e shtetit, por që asnjë punonjës në Shqipëri të mos jetë pjesë e asaj që quhet ‘skllavëri moderne’”, vijoi ai.
Në vijim të fjalës së tij, ministri Veliaj përmendi edhe reformën e arsimit profesional dhe premtimin e mbajtur për uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve. Ai shtoi se në mungesë të opozitës në Parlament, lëvizja sindikaliste ka luajtur një rol të rëndësishëm në diskutimin e reformave të mëdha të qeverisë.


Më të lexuarat