Problematika me tokën ka sjellë pengesë në zhvillimin turistik të zonave bregdetare. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë pastrimit në plazhin e Spillesë dhe pyllin pranë tij ka ndjekur nga afër edhe problematikën e ndarjes në parcela të manipuluara.
Për shkak të kësaj situate zona e Spillesë me një potencial të madh turistik ende nuk ka hotele dhe biznese për të mirëpritur qindra mijëra turistë, ndonëse është një plazh shumë pranë kryeqytetit dhe ka akses me autostradën. Ministri Klosi bëri të ditur se institucioni i tij është në fazën e verifikimit të shkeljeve që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve me tokat në bregdet. Kërkesa e vazhdueshme e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është që zona me potencial të tillë turistik të shndërrohen në magnete turistike të cilat të prodhojnë mirëqenie dhe punësim. “Së bashku me kryetarin e bashkisë kontaktuam biznesin lokal duke u theksuar vendimin e qeverisë shqiptare që askush nuk do të lejohet që të zhvillojë veprimtari në sezonin turistik në qoftë se nuk ka zgjidhje përfundimtare të ujërave të zeza.
Po ashtu së bashku me kryetarin e bashkisë dhe prefekten po prekim nga afër këto zona me potencial të madh turistik që siç e shikojmë edhe nga ndarja në parcela të manipuluara po e bën të pamundur zhvillimin e zonës. Jemi në fazën e verifikimit të shkeljeve që kanë ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve me tokat në bregdet. Është e pafalshme që kjo zonë akoma nuk ka një zhvillim të vërtetë turistik. nuk ka hotele të vërteta për mirëpritur qindra mijëra turistë, nuk ka biznese të cilat të mbështesin këtë lloj turizmi pasi realisht e gjithë kjo situatë vjen nga problematika me tokën”, deklaroi Klosi./Shqip