Energjia per furrat e bukes, Ahmeti: nuk do kete reduktim tarifash
Nuk do të ketë reduktim tarifash të energjisë elektrike për bazën frigoriferike të furrave të bukës.
Deklarata është bërë nga kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti pas kërkesës së Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, të cilët kërkojnë që ulja e çmimit të energjisë që aplikohet aktualisht vetëm për bukën, të përfshijë edhe produkte të tjerë sikurse mund të jenë ëmbëlsirat apo byrekët. Sipas kreut të ERE-s, këto subjekte duhet të lidhin 2 kontrata me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke ndarë aktivitetin e prodhimit të bukës nga pjesa tjetër. Kërkesa për reduktim të tarifës për bazën frigoriferike në furrat e bukës u bë nga kryetari i shoqatës, Gëzim Peshkëpia gjatë një seancë dëgjimore pranë Entit Rregullator të Energjisë. Sipas tij, toleranca aktuale për reduktim të tarifës në 7.6 lekë/ kWh është një formë kompensimi që qeveria iu bën për TVSH e bukës që është në masën 20%, nga 0-8% që ajo aplikohet në vendet e Europës. Në këto kushte, prodhuesit nuk përjashtojnë mundësinë e rritjes së çmimit të bukës, për shkak të rritjes së shpenzimeve./Scan