Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj zhvilloi dy takime në kuadër të Turit të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj zhvilloi dy takime në kuadër të Turit të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”. Ahmetaj u ndal fillimisht në njësinë Lekaj të Bashkisë Rrogozhinë, i shoqëruar nga drejtuesit e institucioneve kryesore vendore. Ministri theksoi se gjatë katër viteve të mandatit të parë janë ndërmarrë reforma të rëndësishme në sektorët kyçë, por ende shumë çështje mbeten për t’u adresuar. Ahmetaj i ftoi qytetarët që të bëhen pjesë aktive e bashkëqeverisjes për të ndihmuar me idetë dhe sugjerimet e tyre që të përmirësohet jetesa e përditshme.
Në takimin e zhvilluar në njësinë Synej të Bashkisë Kavajë, Ahmetaj u ndal në diskutimin për taksat, për të sqaruar atë që Ministri e quajti miti i rritjes së taksave:
Ka një diskutim mes nesh për taksën. Ne erdhëm me moton “kush fiton më shumë, do paguajë më shumë” dhe çfarë bëmë? Gati 85 mijë bizneseve ose ua bëmë taksën zero, ose ua ulëm taksën nga 15 në 5%. Vetëm 19 mijë bizneseve ua bëmë taksën nga 10% në 15%. Përsa i përket biznesit të vogël që përbën 80% - 85% të bizneseve, që prek gati 500 mijë familje shqiptare, ne e ulëm taksën.
Turi i qeverisë do të vijojë deri në fund të muajit qershor duke prekur të gjithë njësitë administrative në çdo bashki dhe qark të vendit./Shqiptarja.com