Punimet ne By-passin e Fierit, 40 milione euro investim
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet që po kryhen për ndërtimin e by-passit të Fierit. Ndërtimi dhe funksionimi i këtij aksi pritet të ulë ndjeshëm fluksin e qarkullimit në këtë zonë, sidomos përgjatë sezonit turistik, ku njeh dhe dyndje më të mëdha.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto dhe deputetë të qarkut të Fierit, inspektoi sot ndërtimin e By pass-it të Fierit. By pass-i i Fierit, 22 kilometra, është një nga projekt rrugore shumë të rëndësishëm, që do të lidhë autostradat Lushnje-Fier me Levan-Vlorë. I përbërë me 2 kalime dhe 4 korsi, ai bashkohet në sektorin e fundit të autostradës në Durrës. Si pjesë e korridorit veri-jug, By pass-i i jep zgjidhje përfundimtare qarkullimit dhe veçanërisht e lehtëson atë gjatë sezonit turistik, ku fluksi i lëvizjes në këtë aks është tepër i lartë. Me përfundimin e tij, shkurtohet ndjeshëm koha e lëvizjes, e cila parashikohet të përshkohet në 15 minuta.
Drejtuesi i punimeve informoi se po punohet me ritme të shpejta, nga kompanitë nënkontraktore, njëherësh në disa seksione, në Fier, në Lushnje dhe në Vlorë. Në gjatësinë e tij po ndërtohen 4 mbikalime e nënkalime dhe tre ura, 80 metra secila. Një nga mbikalimet do të ndërtohet në afërsi të zonës arkeologjike të Apolonisë. Ai siguroi se një korsi e rrugës do të hapet në qershor të vitit 2015. Përfundimi i një korsie në nisje të sezonit turistik, sipas angazhimit të marrë nga firma ndërtuese, u konsiderua nga Kryeministri, shumë i rëndësishëm. Po ashtu, përfaqësuesi i kompanisë ndërtuese vuri në dukje se për ndërtimin e By pass-it janë angazhuar 450 punëtorë të kualifikuar, të cilët kanë punuar në Italia dhe tani janë rikthyer. By pass-i i Fierit është një investim me vlerë rreth 40 milionë euro. Rama inspekton rrugën Kthesa e Qarrit – Pish Poro, investim 190 milionë lekë Kryeministri Rama inspektoi edhe rrugën Kthesa e Qarrit – Pish Poro, e përfshirë në rikonstruksion të plotë, me të gjithë elementet e infrastrukturës rrugore, punimet nëntokësore, trotuare në zonat e banuara dhe sinjalistikën. Drejtuesi i punimeve informoi Kryeministrin se pjesa ndërtimore e rrugës tashmë ka përfunduar dhe aktualisht po punohet për trotuaret në pjesën e rrugës që kalon në zona të banuara dhe vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, të cilat priten të përfundojnë shumë shpejt. Investimi për këtë rrugë është në vlerë mbi 190 milionë lekë.