Secondary Adv

Ligji i ri: Burg per biznesmenet qe nuk deklarojne punonjesit dhe nuk perdorin kasat fiskale

Në bazë të ndryshimeve ligjore nëse administrata tatimore konstaton disa herë për mosregjistrim punonjesish, ose për mos instalim të kasave fiskale atëherë tatimpaguesi do të kallëzohet penalisht.


Bizneset të cilat kryejnë të njëjtën shkelje për tre herë radhazi, do të ndiqen penalisht. Bëhet fjalë për ato biznese të cilat nuk regjistrojnë punonjësit dhe nuk përdorin apo instalojnë kasat fiskale. Ky fakt është konfirmuar dje nga Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në Komisionin e Ekonomisë, gjatë shqyrtimit të projektligjit për procedurat tatimore."Dikush që e bën për herë të tretë, të katërt, të pestë, natyrshëm që kemi të bëjmë me raste që nuk është më një gabim teknik, nuk është më një gabim që erdhi qoftë edhe për nga një logjikë e caktuar, por është një gabim, i cili vjen i qëllimshëm dhe kuptohet dhe që ndaj këtij elementi ne themi që do të shkojë deri tek masat penale", deklaroi Cani.


Ministri theksoi më tej se ndryshimet në projektligj do të konsistojnë gjithashtu edhe në përgjysmimin e gjobave për biznesin, kryesisht për 12 raste. "Ulja e nivelit të gjobave është ndihmesë për biznesin, është vazhdë e përgjigjeve tona ndaj kërkesave të vazhdueshme të biznesit dhe duke qenë që pothuajse përgjysmohen ato, kuptohet që lind e drejta që organet tatimore të kenë në fund dhe një mjet shtrëngues në mënyrë që secili të ketë sjelljen racionale ndaj kërkesave të ligjit dhe ndaj pagesës së tatim-taksave", tha Cani.  


Ndryshimet në ligj
Ministri i Financave sqaroi më tej, ndryshimet e tjera në projektligjin për procedurat tatimore. Sipas tij, ligji i ri detyron Tatimet të publikojnë të gjitha vendimet e formës së prerë të gjykatave për çështjet tatimore. Paralelisht ai ul kohën e rimbursimit të TVSH-së. "Për të ulur kohët dhe kostot për tatim paguesit, nga administrata tatimore propozohet që kontrollet lidhur me rimbursimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar të bëhen në bazë të analizës së rriskut dhe kërkesat për rimbursim të TVSH-së, të cilat nuk janë me risk, por procedohet automatikisht për rimbursim.
Gjithashtu për të garantuar dhënien në kohë të rimbursimit të Vlerës së Shtuar është përcaktuar se pagesat e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhet brenda 5 ditëve nëpërmjet sistemit të thesarit", deklaroi Cani.


 Ndërsa nismë tjetër që vihet në zbatim me ndryshimin e ligjit, është se Drejtoria e Apelimit do të kalojë në varësi të Ministrisë së Financave në tërësi dhe jo si drejtori. “Jemi munduar të marrim parasysh dy çështje jashtë reflektimit në këtë projektligj. Njëra është drejtoria e apelimit të kaloj në varësi të Ministrisë së Financave si tërësi jo vetëm drejtori”, theksoi ministri Cani.


Shqetësimet për bizneset
Kryetari i komisionit, Erjon Braçe, shprehu shqetësimin lidhur me çmimin e kasave duke thënë se kasa fiskale që i jepet çdo sipërmarrje kushton 380 euro, për kontroll 32 dollarë pastaj kontratë mirëmbajtje 150 dollarë. Sipas Braçes këto shuma për një biznes të vogël janë të konsiderueshme dhe se në këtë mënyrë kompanitë e kasave kanë përfitime të mëdha. Më tej, ai vlerësoi projektligjin dhe nismat e ardhura së fundmi nga qeveria , që sipas tij, do të krijojnë një klimë optimale për zhvillimin e biznesit në Shqipëri. “Është krijuar një klimë e ndryshme dhe po të shohësh ligjet, për tatimin mbi vlerën e shtuar, kodin doganor, ligjin për procedurat, ligjet që kanë qenë pjesë e korpusit të paketës fiskale, qartazi synojnë pikërisht këtë gjë, të ulin masat e forta, represionet kundrejt sipërmarrjeve dhe krijimin e një klime krejtësisht tjetër të marrëdhënieve me biznesin”, tha Braçe.


Më të lexuarat