Linje e re hekurudhore: Tirane-Aeroport per 15 minuta, BE financon 35.5 mln euro
Në ditën e Europës vjen lajmi i mirë për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Aeroporti Nënë Tereza.
Bashkimi Europian, BERZH dhe partnerët do të financojnë 35.5 milionë euro për të përmirësuar linjën hekurudhore Tiranë-Durrës si dhe për ndërtimin e linjës së re. Sipas Ministrit të Energjisë dhe të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, pas më shumë se 30 vitesh ky është investimi i parë serioz në rrjetin e hekurudhave nga BE. Në total, qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 90 milionë euro për hekurudhën, ndërkohë që ka nisur faza e përzgjedhjes së kontraktorëve. Sipas planeve të BE-së, kjo e fundit do të investojë rreth një miliardë euro në programet e konektivitetit në Ballkanin Perëndimor. Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45 milionë euro. Granti i akorduar nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor, marrëveshje e cila edhe u firmos nga autoritetet është në shumën prej 35,435,000 Euro. Pjesa tjetër e financimit është përmes një kredie nga BERZH në shumën 36.8 milion euro dhe 16 milion euro financohen nga qeveria shqiptare.
“Sot është dita e Evropës dhe në këtë ditë Bashkimi Evropian mbështet një prej projekteve më të rëndësishme, të parin pas dhjetëra vitesh në sektorin e hekurudhave në Shqipëri. Ky projekt do të ndikojë në cilësinë e lëvizjes së qytetarëve midis dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta. Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore”, u shpreh ministri Gjiknuri./Scan