
Legalizime do te kete edhe per disa kategori objektesh qe nuk plotesojne kriteret kualifikuese
Në proces legalizimi do të përfshihen më shumë objekte, që aktualisht mbesin jashtë për shkak se bien ndesh me kriteret skualifikuese. ALUIZNI është duke përgatitur një projektvendim, që pritet të kalojë javën e ardhshme në qeveri për miratim, i cili bën disa lëshime, duke u hapur dritën jeshile edhe disa kategorive objektesh që janë të bllokuara për shkak të kritereve që i përjashtojnë nga e drejta e nënshtrimit të procedurave të pajisjes me leje.
Përgjegjësja e sektorit të mbikëqyrjes së procesit të legalizimeve në Drejtorinë e Përgjithshme, Tana Kushova, zbardh disa nga këto ndryshime që po hartohen, nga të cilat do të përfitojnë një numër i konsiderueshëm familjesh. “Po përgatisim një VKM për kriteret e skualifikimit. Po mendojmë t’i heqim disa prej tyre për të përfshirë sa më shumë objekte në proces. Jemi duke e studiuar.
Duke qenë se na kanë dalë shumë problematika nga terreni, jemi duke hartuar një projektvendim ku të bëjmë disa lëshime te kriteret penalizuese, duke i hapur rrugë legalizimit edhe të objekteve qEë sot, duke qenëse bien ndesh me kriteret e përcaktuara, mbeten jashtë procesit. P.sh. sot është kriteri se nëse një objekt është 70% në tokë të tij dhe 30% në tokë me pronarë, atëherë ai skualifikohet. Ne parashikojmë ta heqim këtë dhe ta kualifikojmë. Një tjetër është penalizimi për shkak të projekteve që janë në studim. Nëse ka një zonë, ku projekti është në proces ne e skualifikonim, por projekti që është në proces mund të zgjasë edhe 20 apo më shumë vjet dhe projekti bllokohej kot. Do ta heqim edhe këtë pikë”, u shpreh Kushova.
Distancat rrugore
Ka shumë ndërtime që nuk legalizohen duke qenë se bien ndesh me Kodin Rrugor, i cili parashikon që legalizimi i objekteve të bëhet në një distancë prej 100 metrash nga rruga. Pra ato që janë nën këtë standard nuk përfshihen. Kushova sqaron se kjo po rishikohet. “Problematike janë distancat rrugore. P.sh. distancat e vendosura në rrugë lagjeje, të cilat janë të mëdha dhe nga të cilat bllokohet një numër i madh objektesh. Edhe këto do të mundohemi t’i heqim. Kodi Rrugor parashikon 100 m, por nuk mund të jetë e njëjtë kjo për rrugët e lagjes”, bën me dije përgjegjësja e sektorit të mbikëqyrjes së procesit të legalizimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të ALUIZNI-t.
Zonat e mbrojtura
Rregullime do të bëhen edhe për zonat të kategorizuara si zona të mbrojtura. Nëse aktualisht procesi legalizues është kategorikisht i ndaluar në këto zona, po shihet mundësia e shqyrtimit të objekteve mbi disa parametra të reja vlerësimi. “Zonat e mbrojtura, edhe këtu do të bëhen tolerime. Duke qenë se ishte taksative, po mendohet që të bëhet sipas shkallëve, në bazë të të cilave do të përcaktohen edhe parametrat e kualifikimit apo skualifikimit”, thekson Tana Kushova.
Vetëdeklarimi
Faza e deklarimit të banesës informale do të jetë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Të drejtën për të plotësuar formularin e kanë të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje. Vijimi i procedurave, pra ata që do të kenë të drejtë të vijojnë më tej me procesin legalizues dhe ata që do të skualifikohen do të përcaktohen nga ALUIZNI./Panorama
Më të lexuarat








