
Bregdeti i Durresit rikthehet ne mode, rigjallerohet tregu i apartamenteve
Tregu i pasurive të paluajtshme në bregdetin e Durrësit ka filluar të gjallërohet këtë pranverë. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku segmenti i tregut të pasurive të paluajtshme në tregun e Durrësit ishte në stanjacion të plotë dhe askush nuk ia hidhte sytë, këtë fillim sezoni ka nisur të lëvizë.
Agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë se krahas ofertës, është rritur kërkesa dhe interesimi për bregdetin, të cilat po finalizohen. Prej vitesh, pasuritë e paluajtshme në bregdetin e Durrësit konsideroheshin të mbetura stok dhe asnjë i interesuar për të blerë shtëpi pushimi nuk i hidhte sytë drejt tij. Mirëpo, së fundmi, agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë se është rritur interesi për bregdetin e Durrësit. Për 45-50 mijë euro mund të blesh një shtëpi në bregdetin e Durrësit, me një sipërfaqe mesatare. Sipas inxhiniere Xheni Jahja nga Tirana Real Estate, çmimet mesatare për apartamentet e pushimit në bregdetin e Durrësit variojnë nga 400-500 euro për metër katror. Pas një periudhe thuajse të vdekur për tregun imobiliar në Durrës, është shtuar kërkesa për këtë zonë, veçanërisht nga shqiptarët e diasporës, shtoi Jahja për “Monitor”. Kriza në tregun imobiliar në Durrës uli ndjeshëm çmimet e apartamenteve në atë zonë, madje në disa raste edhe nën kostot e ndërtimit.
Duke përfituar edhe nga kjo ulje e madhe në çmim, për të gjithë zonën e plazhit të Durrësit, ka nisur të gjallërohet kërkesa për pasuritë e paluajtshme në bregdetin e Durrësit. Blerja e një apartamenti në bregdetin e Durrësit, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, është një zgjedhje kryesisht ekonomike për ata që nuk kërkojnë të shpenzojnë shumë për shtëpinë e plazhit. Tendenca e gjallërimit e bregdetit të Durrësit nisi që vitin e shkuar, ku kërkesat për të pushuar në këtë zonë rezultoi më e lartë se Saranda apo Vlora. Përmirësimi i infrastrukturës, rregullimi i plazheve dhe mbajtja pastër e rërës, janë ndër faktorët kryesorë që po tërheqin sërish turistët nga plazhi i Durrësit. Faktorët që ndikuan në zhvlerësimin e banesave në zonën e Durrësit, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, ishin ndërtimi pa kriter, pa ndonjë cilësi, u prenë pemët dhe infrastruktura e dobët.
Çmimet e lira tërheqin blerësit
Pasi çmimet prekën dyshemenë, në zonën e Shkëmbit të Kavajës mund të gjeje edhe apartamente me çmim 290 euro për metër katror. Ulja e çmimeve në minimum ka bërë që zona të tërheqë blerës me mundësi të kufizuara ekonomike. Arsyeja kryesore përse po tërhiqen individët drejt bregdetit të Durrësit janë pikërisht çmimet e ulëta. Sipas të dhënave nga agjencitë kryesore të pasurive të paluajtshme në vend, çmimet variojnë nga 400 euro për metër katror në 850-900 euro, në varësi të vendndodhjes. Zonat me çmime më të lira janë pranë kompleksit Dolce Vita, në zonën e Hekurudhës, pranë hotel Adriatikut, dhe zona e Plazhit. Zonat me çmime më të shtrenjta, që janë edhe më elitare për sa u përket ndërtimeve, sipas ofertave të publikuara nga agjencitë e pasurive të paluajtshme janë Golemi dhe Qerreti. Në të dyja këto zona nuk është abuzuar me ndërtimin, janë ruajtur pishat dhe infrastruktura është përmirësuar. Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, përveç zonës së vendndodhjes së apartamentit është edhe cilësia e ndërtimit, apo fakti nëse është në një kompleks banimi apo në një pallat të veçuar pa lehtësi në infrastrukturë. Në çmim ndikon edhe fakti nëse apartamenti ndodhet në vijën e parë apo pas rrugës./Monitor
Më të lexuarat








