Sezoni Kombetar i Pyllezimit, do te mbillen 500.000 fidane ne mbare vendin
Çelet sezoni kombëtar i pyllëzimit, gjatë të cilit parashikohet mbjellja e 500.000 fidanëve në mbarë vendin. Kryeministri Edi Rama ka komunikuar nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, per ndjekjen e punimeve për rehabilitimin e zonës së degraduar përmes sistemimit dhe pyllëzimit të 28.6 hektarë me pisha në Krastë-Krujë.
Kjo zonë ndodhet me pamje ballore me aeroportin “Nënë Tereza” dhe është e degraduar si pasojë e veprimtarisë së karerave gurore dhe shfrytëzimit pa kriter të saj. Pyllëzimi do të garantojë rehabilitimin dhe rikthimin e peizazhit natyror. Degradimi i mjedisit ndër vite, theksoi Kryeministri, është një plagë e turpshme për shoqërinë. Plagë, së cilës duhet t’i jepet fund, duke nisur nga mali i Skënderbeut ku ndodhet edhe kjo zonë.
“Janë 500 mijë fidanë që mbillen në këtë sezon. Është projekti i parë, masiv, rehabilitues i gjelbërimit në Shqipëri. Por, rikthimin në normalitet të malit të Skënderbeut e kemi detyrim kombëtar dhe do ta bëjmë patjetër. Pas fazës së mbjelljes së fidanëve në rrafshina, duhet të bëjmë edhe hidrombjelljen, në mënyrë që të mbyllim këtë plagë që na e sheh gjithë bota sa zbret në aeroportin “Nënë Tereza”. Është një turp kombëtar i paimagjinueshëm.” Ministri Koka tha me projektin e nisur do të rehabilitohen 30.6 hektarë, veçanërisht në ato pika që kanë qenë gurore, por problem sërish mbeten subjektet që i rihapin ato.
“Janë rreth 76 mijë fidanë pishë mesdhetare që mbillen. Kjo është një nga zonat nga më të shfrytëzuarat përsa i përket gurit dhe gëlqeres, kryesisht. Problemin më të madh kemi me gropat e gëlqeres. Ne i mbyllim dhe i rihapin sërish.” Kryeministri garantoi se krimi mjedisor nuk do të tolerohet dhe paralajmëroi masa të reja në Kodin Penal kundër këtij krimi.Kryeministri Rama inspektoi edhe rrugën Krujë–Qafështamë, 18 kilometra, e përfshirë në rikonstruksion të plotë. Me një fond prej rreth 499 milionë lekë po kryhet zgjerimi i rrugës, ndërtimi i mureve të gurit, ndërtimi i mureve mbajtës dhe sinjalistika horizontale dhe vertikale. Rehabilitimi i rrugës lehtëson lidhjen e 4 mijë banorëve të zonës me Krujën, por bën edhe më lehtësisht të arritshëm për turistët dhe vizitorët, parkun natyror të Qafështamës.