Secondary Adv

Frekuencat e brezit 800 Mhz – AKEP propozon hapjen e gares per internet te shpejte

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i ka dërguar ministrit të Infrastrukturës propozimin zyrtar të hapjes së garës për të dhënë në përdorim frekuencat e brezit 800 Mhz.

 

Bëhet fjalë për frekuencat e liruara nga mbyllja e transmetimeve analoge dhe përdorimi i tyre do të mundësojë zgjerimin e ndjeshëm të spektrit për internetin me brez të gjerë nga rrjetet celulare, sidomos përmes teknologjisë 4G. Procedura e tenderimit pritet të bëhet duke i vlerësuar ofertat me raunde, me qëllim krijimin e mundësive të marrjes së frekuencave në këtë brez të paktën për tre operatorët aktualë të shërbimeve të lëvizshme. Çmimi dysheme për pranimin e ofertave, së bashku me detajet e tjera, do të bëhen publike vetëm pas miratimit të ministrit të linjës dhe hapjes zyrtare të tenderit. Pritshmëritë nga tenderimi i këtij brezi kanë qenë për të ardhura deri në 50 milionë euro, por duke pasur parasysh komentet e operatorëve dhe rënien e ndjeshme të fitimeve në këtë treg, do të jetë shumë e vështirë sigurimi i një shifre të tillë. Madje, një nga operatorët ka propozuar që këto të drejta të jepen pa pagesë, duke pasur parasysh koston e lartë të investimeve për ngritjen e rrjeteve dhe politikat e qeverisë për rritjen e depërtimit të internetit në zonat rurale dhe periferike.

 

Nuk ka të ngjarë që këto të drejta përdorimi të jepen pa pagesë, megjithatë është e qartë se operatortë nuk janë të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha dhe të krahasueshme me tenderat e mëparshëm. AKEP vlerëson se dhënia e brezit 800 Mhz në përdorim për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike do të ketë një impakt të ndjeshëm jo vetëm në këtë sektor, por në të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Zhvillimi i infrastrukturës broadband në të gjithë vendin do të rriste aksesin në shërbimet elektronike në fusha të ndryshme si në tregti, shëndetësi, edukim apo në shërbimet publike në përgjithësi. Përmes këtij brezi, pritet të rritet depërtimi i shërbimit te internetit në familjet shqiptare, edhe në zonat rurale dhe me dendësi të vogël popullsie./Scan


Më të lexuarat