Performanca e bashkive, Ja cila ka mbledhur me teper te ardhura
Burimet financiare totale në dispozicion të qeverisjes vendore për vitin 2017 regjistruan një vlerë 75.8 miliard lekë, në rritje me rreth 23% krahasuar me një vit më pare apo rreth 14.2 miliard lekë më të larta.
Raporti i financave vendore për vitin 2017, evidenton faktin se për vitin që lamë pas ka diferenca të ndjeshme midis bashkive në lidhje me peshën e burimeve të ndryshme të financimit ndaj totalit të burimeve financiare. Konkretisht nëse të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 61.4% të totalit të burimeve financiare në bashkinë Tiranë, në bashkinë Has ky tregues zbret në një nivel prej 2.5%. Kjo ka të bëjë edhe me shpërndarjen e bizneseve dhe popullsisë në territor. Bazuar në të dhënat e INSTAT, rreth 28.7% e ndërmarrjeve aktive gjendet në territorin e bashkisë Tiranë.
Në të kundërt, në bashkinë Has, janë të lokalizuara vetëm 0.2% e ndërmarrjeve aktive për vitin 2016. Po të bëjmë një krahasim, pas Tiranës, Durrësi kryeson listën me 2.1 mld lekë të ardhura, përjashto këtu transfertën e pakushtëzuar nga qeveria. Dhe pas tij renditet Elbasani, Fieri Kamza dhe Korça. Sa i përket të ardhurave për banor, në krye të listës renditet Dropulli me rreth 38 mijë lekë, Himara, Fushë-Arrez, Delvinë. Përpos transfertës së kushtëzuar, një pjesë të mirë të të ardhurave e përbejnë tarifat vendore, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit, taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa mbi pasuritë e paluajtshme.