
Tapite per tokat, procesi i regjistrimit do te vijoje deri ne 2016-en
Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka deklaruar që regjistrimi i tokave bujqësore të vijojë deri më 2016. Ky propozim i deputetëve të shumicës erdhi pas mungesës së shifrave konkrete për tokat e zëna duke sjellë mospërputhje të shifrave me situatën në terren.
Kuvendi kalon projektligjin e qeverisë “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”. Përfitojnë ata që nuk kanë ndryshuar vendbanim dhe e përdorin tokën për bujqësi.
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar dje projektligjin e qeverisë “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore përfituesve”. Për shkak se ligji i mëparshëm që trajtonte problematikën e tokave të ish-NB-ve ka rënë nga fuqia më 1 tetor 2013, edhe se shumë familje nga i gjithë vendi kanë mbetur në udhëkryq, pasi procesi ka hasur në vonesa e mangësi, qeveria ka sjellë projektin e ri, i cili synon të rihapë dhe një herë procesin dhe të zgjidhë çështjen e marrjes së pronësisë nga personat që kanë përfituar nga ndarja e tokave të këtyre ndërmarrjeve bujqësore.
Përfituesit
Projektligji vepron për familjet bujqësore apo individët që kanë përfituar tokë sipas vendimit 452, datë 17.10.1992, por që në asnjë rast, nga kjo datë, nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre. Një tjetër kusht për ta përfituar “de jure” këtë tokë është mënyra e përdorimit të saj. Projektligji përcakton se familjet duhet ta kenë përdorur tokën për veprimtari bujqësore.
Përfitues janë edhe një sërë kategorish të tjera që kanë përfituar toka, por nuk kanë dokumente të plota për të marrë pronësinë. Neni 3 i projektligjit përjashton nga ky proces ato toka bujqësore, të cilat janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pronë private, tokat e përfshira në procesin e legalizimit, ato që janë subjekt i një akti të marrjes së pronësisë nga komisionet e ndarjes së tokës, edhe në rastet kur nuk rezultojnë të regjistruara në Hipotekë.
Drafti rregullon gjithashtu sipërfaqen e tokës që përfitojnë këto familje, gjithmonë nëse vazhdojnë ta përdorin atë për veprimtari bujqësore. Sipërfaqja e tokës bujqësore që jepet në pronësi, sipas këtij ligji, do të jetë: e barabartë me tokën që përdoruesi ka në shfrytëzim, por në asnjë rast, më e madhe se sipërfaqja që tregohet në aktin e përdorimit dhe as më e madhe se sipërfaqja që i takon sipas normës për frymë, të përcaktuar nga legjislacioni i kohës.
Fillimisht komisioni dje ka dëgjuar vlerësimin e dhënë nga relatori Robert Bitri, i cili shpjegoi se ndarja e tokës bujqësore, dhënia e saj në përdorim dhe më pas kalimi në pronësi janë shoqëruar me mangësi e probleme të ndryshme. “Nga informacionet e strukturave përgjegjëse për këtë proces si dhe nga ankesat e shumta të qytetarëve, – theksoi ai, – ka rezultuar se komisionet e tokës në fshat, në shumë raste nuk kanë plotësuar dokumentacionin e fitimit të pronësisë, aktin e marrjes së tokës në pronësi (AMTP) për të gjitha familjet bujqësore, që kanë plotësuar kriteret ligjore si përfituese.
Plotësimi dhe riparimi i mangësisë kryesore, plotësimi i dokumentacionit të pronësisë, solli si nevojë përgatitjen e një ligji të ri”. Ndërkohë që Irfan Tarelli, drejtor i Administrimit të Tokës dhe Ujërave në Ministrinë e Bujqësisë, shpjegoi arsyet pse u desh të vihej me këtë projektligj të ri dhe situatën në të cilën ndodhen sot tokat dhe familjet që përfituan toka të ish-NB-ve. Sipas tij, ky projektligj pritet të ketë efekte në 30 deri në 40 % të tokës së ish-NB-ve që është ndarë.
“Nisur nga aq sa janë ndarë dhe raportimet që ka ministria nëpërmjet prefekturave, procesi mund të jetë deri në 30-40 për qind të sipërfaqes së supozuar që do përfitonin”, – tha Tarelli. Por ai ka bërë të ditur se të dhënat nuk janë të plota, pasi ministria nuk ka të dhëna të sakta për këtë proces. “S’kemi të dhëna për sipërfaqen sa është ndarë dhe sa pritet të ndahet, sepse procesi kufizohet nga procesi fillestar, pra nga aplikimi që duhet të bëjë individi. Ai duhet ta bëjë vetë aplikimin. Njësitë e kanë të pamundur të nisin kryesisht procesin”, – tha Tarelli.
Tokat që nuk janë regjistruar
Ndërkohë që sa i përket tokave që nuk janë regjistruar si prona për individët që i zotërojnë për mungesë dokumentacioni, ai ka theksuar se shumë shpejt në qeveri do kalojë për miratim një projektvendim, ku do të jepen zgjidhje edhe për këto raste. Tarelli u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve edhe për kategorinë e tokave bujqësore të ndara sipas ligjit 7501 dhe tokave të zënë me forcë.
Për tokat bujqësore, ai theksoi se një problem i mprehtë është parcelizimi i madh i fermave bujqësore. Ndaj për këtë problem ai theksoi se qeveria po i mëshon me forcë shkëmbimit të pronave mes fermerëve ose unifikimit të kulturave që mbillen në to. Në përfundim të këtij diskutimi komisioni vendosi të shtyjë deri në vitin 2017 efektet e zbatimit të këtij ligji, kur dhe presupozohet se do ketë përfunduar procesi i regjistrimit të pronësisë së tokave të ish-NB-ve.
Më të lexuarat








