Projektet, si do nderlidhet Shqiperia me infrastrukturen europiane
Europa synon që të përfundojë dhe modernizojë rrugët e transportit deri në vitin 2030, përmes Programit Trans-Europian të Rrjetit të Transporti(TEN-T). Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit, është pjesë e Zgjatimit Indikativ të këtij rrjeti.
Nuk ka një treg të vetëm europian pa transport. Transporti adreson nevojat e lëvizshmërisë të mbi 500 milionë qytetarëve europianë dhe siguron transportin e mallrave nga më shumë se 11 milionë industri europiane te klientët e tyre. “Ne jemi këtu për t’u shërbyer nevojave të Bashkimit Europian, fqinjëve të saj dhe njerëzve që duan të angazhohen, bashkëpunojnë dhe të shijojnë përfitimet e një transporti të zgjuar, gjithëpërfshirës, të pastër dhe të sigurt”, pohoi Violeta Bulc, komisionerja për transportin në Komisionin Europian. Znj. Bulc e bëri këtë deklaratë në ditët e TEN-T, që janë një event vjetor i Programit Trans-Europian të Rrjetit të Transportit të organizuar nga Komisioni Europian dhe këtë vit, u zhvillua në fund të muajit prill, në Lubjanë të Sllovenisë. Në të morën pjesë më shumë se 2300 të ftuar, të gjitha shtetet anëtare, me 17 ministra nga Bashkimi Europian dhe 9 ministra nga shtetet fqinjë, përfshirë edhe atë të Shqipërisë, z. Damian Gjiknuri.
Programi TEN-T u krijua në vitin 2006 nga Komisioni Europian për të mbështetur ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit në të gjithë Bashkimin Europian, por tashmë është shtrirë edhe në Ballkan, që prej vitit 2015. Ai mundëson përkrahje financiare për realizimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës së transportit – në përputhje me synimin për rritjen e konkurrencës europiane, krijimin e vendeve të punës dhe ndërveprimin. Projektet e Programit TEN-T mbulojnë të gjitha mënyrat e transportit – ajri, hekurudha, rrugët, rrugët ujore, si dhe logjistika dhe sistemet e transportit inteligjent. Komisionerja për transportin në Komisionin Europian, Violeta Bulc, pohoi se po krijohet një ekosistem i fuqishëm lëvizjeje në BE, duke shkruar drejt një Unioni të vërtetë Transporti./Shqiptarja.com