Presidenti Nishani zgjedh kandidatet per guvernatorin e ri te Bankes se Shqiperise
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pritet të dekretojë brenda kësaj jave Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që është fokusuar te tri kandidatura. Sipas burimeve mësohet se kandidatët janë: Arjan Kadare, Genti Sejko dhe Nik Markola.
Burime brenda Presidencës bëjnë me dije se të tri emrat kanë mbërritur në fund të procesit të seleksionimit nga ana e presidentit, të mbi 40 CV-ve të paraqitura në aplikimin online. Arjan Kadare është një emër i njohur në fushën e ekonomi- financës në vend. Ai aktualisht është pedagog në një institut privat në Tiranë dhe më herët ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Genti Sejko është zv/drejtor i një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Nik Markola është drejtor menaxher i “Field Point Bank& Trust Gree-nwich” në Nju Jork, SHBA. Ky i fundit ka edhe nënshtetësinë shqiptare, një kusht kyç ky në fakt i proklamuar nga presidenti Nishani për Guvernatorin e ri të Bankës. Të tre kandidatët, të cilët mbërritën në fazën finale të seleksionimit janë në pritje të vendimit nga ana e presidentit Nishani dhe janë shprehur të gatshëm për pozicionin e ri që mund të marrin, për një mandat të plotë, pra 7-vjeçar, për kreun e ri të Bankës së Shqipërisë apo thjesht do t’i lihet periudha katërvjeçare e mbetur nga mandati i ish-guvernatorit Fullani.