Milot: ARRSH tender 1.3 miliarde leke, ja nderhyrjet qe parashikohen
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tjetër procedurë prokurimi lidhur me rrugët dytësore në nyjen Milot. Referuar dokumenteve të këtij institucioni bëhet me dije se fondi limit i vënë në dispozicion është rreth 10 milionë euro i ndarë në tre vite.
Brenda 15 muash përfundon dhe vihet në funksionim infrastruktura rrugore në Nyjën e Milotit, që ndodhet në segmenti Milot – Lezhë – Rrëshen – Thumanë, që është pjesë e rrjetit rrugor kombëtar dhe i përket si korridorit Veri – Jug. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurat e tenderimit për përfundimin e punimeve të mbetura dhe plotësimin me rrugë dytësore të Nyjës Milot. Sipas detajeve të projektit, të publikuar në faqen e Prokurimeve Publike, me një fond limit prej 1.3 miliardë lekë, investimi parashikon ndërtimin e një rruge në kryqëzimin e autostradës Milot – Rrëshen – Kukës – Morinë dhe asaj Fushë Krujë – Milot – Lezhë. Nyja përfshin dy akse dhe katër rampa, konkretisht: Aksi Milot-Fushë Krujë, Aksi Fushë Krujë – Lezhë, Rama Fushë Krujë – Milot, Rampa Milot – Lezhë, Rampa Milot – Fushë Krujë, Rampa Lezhë – Milot. Janë gjithsej 7 rrugë kryesore dhe 13 rrugë të brendshme të përfshira në projekt të cilat janë të pozicionuara në Bashkinë Kurbin. Po ashtu, për shkak të zgjerimit të rrugëve ekzistuese është parashikuar edhe ndërtimi dhe zëvendësimi i kanaleve vaditëse. Projekti përfshin gjithashtu vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Ndërkohë, sa i takon rrugëve dytësore, ato do të ndërtohen për shkak se kompletimi i nyjës nuk zgjidh përfundimisht problemin e aksesit të banorëve dhe bizneseve përreth në autostradën re. Procedura e tenderimit do të qëndrojë e hapur nga sot deri në datë 21 qershor 2018. Ndërsa, punimet e ndërtimit parashikojnë një periudhë kohore 15 muaj prej nënshkrimit të kontratës./ata