Secondary Adv

Dogana Shqiptare aplikon proceduren e thjeshtuar te deklarimit online

Dogana shqiptarë ka nisur për herë të parë aplikimin e procedurës së thjeshtuar të deklarimit, në kuadër të krijimit të lehtësirave për biznesin. Procedura e re i siguron biznesit lehtësi operacionale, shpejtësi dhe përfitim monetar.


Në ambientet e një kompanie është bërë ditën e mërkurë aplikimi i parë i kësaj procedure. Në këtë pilotim ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj dhe Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali.
Gjatë fjalës së saj, administratorja e kompanisë, Vilma Nushi shprehu kënaqësinë për krijimin e kësaj metode të re deklarimi, e cila shkurton kosto dhe kohë për kompaninë e saj. “Nëpërmjet aplikimit të proçedurës se thjeshtuar, ne si biznes heqim një ngarkesë shumë të madhe kohore dhe financiare. Tashmë nuk kemi më nevojë që të shkojmë në doganë, të paguajmë kosto shtesë për karburant, shoferë, parking, duke shtuar këtu edhe kohën e pritjes, por kamioni vjen direkt në magazinat tona, duke bërë deklarimin elektronik në doganë”, theksoi Nushi.  

 


Ndërsa, Kryeministri Rama ndoqi nga afër procesin e zhdoganimit të një kamioni, nëpërmjet aplikimit të proçedurës së thjeshtuar, duke e konsideruar këtë një revolucion.   Nga ana e saj, Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali u shpreh se aplikimi i proçedurës së thjeshtuar është një inovacion nga ana e Doganës Shqiptare duke vendosur kështu një gur themeli në ndryshimin radikal të marrëdhënieve mes doganës dhe biznesit. “Me anë të kësaj proçedure ne e informatizojmë këtë marrëdhënie duke shmangur kontaktin fizik mes doganierëve dhe bizneseve. Proçedurat e thjeshtuara mundësojnë mbërritjen e mallrave direkt në ambientet e Operatorit Ekonomik pa patur nevojë të kryejë formalitetet në një doganë të brendshme”, u shpreh Spiropali.   


Përparësitë në procesin e zhdoganimit të mallrave
-Proçedurat e thjeshtuara mundësojnë mbërritjen e mallrave direkt në ambientet e Operatorit Ekonomik pa pasur nevojë të kryejë formalitetet në një dogane të brendshme dhe çlirimin e tyre po në këto ambiente. Kryerjen e gjithë procedurës së eksportit të mallrave po nga ambientet e Operatorit Ekonomik. 
-Koha për kryerjen e formaliteteve doganore do të ulet në mënyrë të konsiderueshme dhe gjithçka do të jetë në dorën e operatorit për të përshpejtuar procesin.  
-Kostot e magazinimit reduktohen në 0 pasi operatori shfrytëzon logjistikën e tij gjatë procesit.   - Kostot e transportit reduktohen ndjeshëm pasi mallrat nuk kanë nevojë të presin në mjetin e transportit për të kryer formalitetet doganore.  
-Kontakti me doganën në pjesën më të madhe të rasteve do të jetë vetëm elektronik përmes shkëmbimit të mesazheve elektronike çfarë rrit thelbësisht transparencën, ul burokracinë duke zvogëluar njëkohësisht mundësinë e shfaqjes së elementeve korruptive.  
- Kristalizon një marrëdhënie shumë më të përgjegjshme mes doganës dhe Operatorit Ekonomik. 
 -Do të mundësohet një formë e re deklarimi e shkurtuar dhe periodike, e cila mundëson kosto me të ulët për operatorin.  
Operatorë Ekonomikë që do të autorizohen të aplikojnë Proçedurën e Thjeshtuar duhet të përmbushin kriteret si më poshtë:  
- Operatorët Ekonomikë të cilët kanë një histori transparente me doganën dhe janë në gjendje të paraqesin provat e besimit dhe të pastërtisë së tyre në operacionet doganore.  
-Operatorët Ekonomikë që do të krijojnë kushtet e përshtatshme logjistike për magazinim të përkohshëm doganor pranë ambienteve të tyre nën mbikëqyrjen doganore. 
-Operatorët Ekonomikë që do të mundësojnë infrastrukturën IT për të mundësuar deklarimin elektronik.  
-Operatorët Ekonomikë që do të mundësojnë garancitë financiare për të garantuar borxhin doganor dhe mbikëqyrjen doganore.  
-Operatorët Ekonomikë që do të angazhojnë staf të besuar dhe të kualifikuar për të qenë pjesë e procedurave të thjeshtuara.    

Masat për aplikimin e gjerë të Procedurave të Thjeshtuara  
-Diskutimet e vazhdueshme me grupet e interesit për një aplikim sa më të mirë dhe të vlefshëm për Procedurat e Thjeshtuara.
-Plotësimi i akteve nënligjore për funksionimin korrekt të Procedurave të Thjeshtuara.  
-Trajnimi i stafit dhe Operatorëve Ekonomikë lidhur me funksionin, mënyrën e aplikimit dhe kontrollit korrekt. 
-Përgatitja e sistemit IT.  
Duke nisur që nga dita e mërkurë kompania Marketing & Distribution do të aplikojë proçedurat e thjeshtuara në zhdoganimin e mallrave, ndërkohë që deri në Shkurt 2015, kohë kur kompani të tjera do të aplikojnë për të marrë autorizimin e përdorimit të proçedurave të thjeshtuar pranë ambienteve të tyre, duke mundësuar aplikimin e gjerë të tyre. Ky rast i parë tashmë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, duke i mundësuar atyre kompanive që kanë një historik të pastër me doganën dhe plotësojnë të gjitha kriteret të aplikojnë këto proçedura të thjeshtuara. 


Më të lexuarat