Secondary Adv

Aeroporti i Kukesit, prane operimit: Shpallet fituesi per studimin e infrastruktures navigacionale

Data e hapjes së Aeroporti të Kukësit për fluturime tashmë duket më pranë, pas shpalljes së operatorit fitues që do të kryejë studimin për infrastrukturën navigacionale. 

 

Pas tenderit të datës 17 Maj 2018, Albcontrol ka shpallur shoqërinë “Consulting & Management Albania” sh.p.k. si operatorin ekonomik fitues, i cili ka garuar si ofertues i vetëm. Operatori ka paraqitur një ofertë prej 10.8 milionë lekësh, nga 10.833 milionë lekë që ishte caktuar fondi limit për këtë procedurë. Pas nënshkrimit të kontratës, tashmë shoqëria me seli në Tiranë do të ketë një afat prej 3 muajsh për të realizuar studimin. Në dokumentin që do të dorëzohet do të përfshihet një analizë e detajuar dhe rekomandimet e shoqërisë lidhur me nivelin e sigurisë të trafikut ajror, konceptin e operimeve në aerodromin e Kukësit, sistemet e nevojshme, procedurat e afrimit dhe nisjes, etj. Shoqëria do të kryejë vlerësimin e përgjithshëm të fizibilitetit lidhur me operimet e vetë projektit, ndërsa raporti do të përfshijë gjithashtu trajnimet e kërkuara nga personeli i aviacionit, si dhe rekomandime të ndryshme, si psh. nëse është i nevojshëm zgjerimi i pistës. Edhe pse projekti për vënien në funksion të Aeroportit të Kukësit duket se po ecën përpara, koha për kryerjen e shërbimit të kërkuar dhe koha që do të duhet për marrjen e masave të domosdoshme dhe zbatimin e rekomandimeve duket se do të vënë në pikëpyetje afatet e deklaruara nga kryeministri Rama për këtë projekt. Sipas Ramës aeroporti do të jetë operativ në vjeshtë, ndërsa për festat e fundvitit emigrantët do të udhëtojnë përmes tij me çmime low cost./Scan


Më të lexuarat