Secondary Adv

Detyrimet tatimore,4 mije biznese te sekuestruara ne 2014-en

 

Biznesët që nuk kanë paguar detyrimet tatimore në kohë janë rritur me me rreth 40 për qind gjatë vitit 2014. Lista zyrtare me biznesët borxhlinj është shtuar edhe me 4803 kompani këtë vit, duke e çuar listën e zezë të tatimpaguesve në 11 350 subjekte deri në fund të nëntorit 2014, sipas të dhënave nga Drejtoria e Tatimeve.


Shumica e borxhlinjëve me rreth 50 për qind të totalit deri në fund të nëntorit 2014, ose 6330 subjekte, i përkasin qarkut të Tiranës. Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve sqaron se, këto subjekte përfaqësojnë listën e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve Administrata tatimore, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.


Njoftimi i publikuar në faqen e tatimeve bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe tëmos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

 


Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, kompanitë janë në aktivitet ekonomik dhe nuk konsiderohen të falimentuara, por për arsye të ndryshme që lidhen edhe me mungesën e likuiditetit në periudha të caktuara ato nuk mund të shlyejnë detyrimin tatimor, i cili po rritet me hapa galopantë.


Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se, kriza nuk po e favorizon shlyerjen e detyrimeve që bizneset i kanë shtetit, përkundrazi po ndikon në rritjen në mënyrë të konsiderueshme të detyrimet tatimore të papaguara. Në të njëjtat shifra në mos më të larta biznesi u detyrohet edhe bankave. Ndërkohë që mundësitë për shlyerjen e këtyre detyrimeve do të jenë të pakta përsa kohë rritja ekonomike do të jetë në këto nivele.


Studimet hulumtuese të Ministrisë së Financave edhe të Bankës së Shqipërisë besojnë se, rënia e borxheve të biznesit ndaj shtetit do të ndodhë kur rritja e ekonomisë të arrijë të paktën ritmet e para krizës, të cilat ishin rreth 6 për qind. Por, po sipas parashikimeve të këtyre institucioneve, kjo nuk do të ndodhë më shpejt se fundi i vitit 2015, ku parashikohet një zbutje e efekteve të krizës./Monitor


Më të lexuarat