Secondary Adv

Celet Amfiteatri i Tiranes, Veliaj: Do kete nga nje aktivitet cdo nate

Pas 27 vitesh, Teatri i hapur i Tiranës i është kthyer dinjitoz parkut të Liqenit Artificial, artistëve, kulturës, publikut dhe brezave. Tingujt e magjishëm të Bandës së Forcave të Armatosura shënjuan edhe fillimin e një epoke të re kulturore për kryeqytetin.

 

Për herë të parë, bashkë në një natë, nën tingujt e hënës, 400 artistë u ngjitën në skenën e Amfiteatrit të Tiranës, e cila ishte mbushur plot e përplot nga qytetarë të të gjitha grupmoshave, për të ndjekur koncertin plot surpriza të përgatitur nga Bashkia e Tiranës. Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Erion Veliaj dha lajmin se skena e re e artit që i shtohet kryeqytetit do të ketë një aktivitet çdo natë. Veliaj shtoi se, përkundër ndonjë zëri kritik, këto investime në kryeqytet, jo vetëm që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve, por njëkohësisht do të gjenerojnë edhe mjaft të ardhura për ekonominë e qytetit. “Lajmi i mirë është që pothuajse çdo natë do të ketë një aktivitet, e mbi të gjitha ta gëzojmë Amfiteatrin e rilindur të Liqenit të Tiranës. Ne patëm një sherr shumë të madh këtu, te këndi i lodrave, patëm një të tillë më të vogël këtu, por gjithmonë u them njerëzve, atyre që thonë ‘ne s’kemi bukë të hamë, ju bëni teatër e bëni koncerte’. Nëse qëllimi kryesor i bashkive e qyteteve do të ishte buka, bashkitë do të ishin furra të mëdha buke. 

 

 Ata që mendojnë se vetëm buka është ajo që na intereson, lajmi i mirë është që ky teatër do të prodhojë edhe më shumë bukë, sepse do të prodhojë më shumë ekonomi, do të ketë më shumë artistë që do të kenë aktivitete, prej tyre do të gjenerohet turizmi në Tiranë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku i cilësoi këto 3 vite të drejtimit të Bashkisë së Tiranës si vitet më të bukura të jetës së tij, ndërsa garantoi se puna për realizimin e projekteve transformuese nuk do të ndalet. Artdashësit e kryeqytetit kishin mundësi që të ndiqnin për më shumë se dy orë tingujt e Olen Çesarit, pjesë muzikale, balet, simfoni, arie, uvertura, si dhe pjesë nga repertori botëror dhe shqiptar. Nën dirigjimin e Noorman Widjaja interpretoi orkestra e RTSH-së, Fanfara Tirana, Kori i TKOB-së dhe balerinë solistë nga Shkolla e Baletit. Kryeqyteti ka tashmë një tjetër skenë, që do të mirëpresë publikun me festivale, koncerte, teatër, konferenca, shfaqje të cirkut e kinema verore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të Parkut të Liqenit Artificial në një pikë të rëndësishme kulturore e argëtimi për qytetarët./Shqip


Më të lexuarat