
Stadium i ri Loro Borici, shpronesime per shtepite qe do te prishen
Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta në prag të vizitës së tij në Shkodër. Në protestë janë hedhur ditën e djeshme banorët që do iu prishën shtëpitë nga ndërtimi i parkingut të stadiumit “Loro Boriçi” në këtë qytet.
Kryeministri Rama duke folur direkt me ta sqaroi se kompensimi do të bëhet para nisjes së prishjes së çdo ndërtimi, i cili cenon projektin e përcaktuar në bazë të parametrave të UEFA-s. Më herët kryeministri mori pjesë në shpërndarjen e rreth 700 lejeve të legalizimit për banorët e Shkodrës. Kreu u qeverisë ishte dje dhe Fushë- Krujë ku banorët që kishin vite me radhë që endeshin në zyrat e ALUIZNI-t, mundën të siguronin tapinë e shtëpisë së tyre.
Ndërtimet pa leje
Rreth 50 qytetarë shkodranë të cilëve do t’iu prishen shtëpitë për të ndërtuar hapësirën e parkimit të stadiumit “Loro Boriçi”, janë grumbulluar para Pallatit të Sportit në Shkodër ku pritej ardhja e kryeministrit Rama. Këta banorë me parulla në duar, protestuan duke kundërshtuar prishjen e banesave të tyre çka ka çuar dhe në ndërhyrjen e policisë.
Forca shtesë të policisë u konfrontuan edhe verbalisht me qytetarët, ndërsa një banor goditi me çadër një efektiv civil të policisë kriminale, i cili mbante kapele në kokë ndërsa po përpiqej të qetësonte banorët dhe të komunikonte me ta. Pasi kanë larguar parullat qytetarët kanë qëndruar rreth 1 orë jashtë Pallatit të Sportit ndërsa Rama ishte brenda duke ndarë tapitë e legalizimeve disa familjeve përfituese. Pasi kryeministri doli nga takimi, u ndal të flasë me protestuesit. Fiqiri Hoxha, përfaqësues i këtyre banorëve ka kërkuar ndihmën e kryeministrit duke theksuar se janë 150 banorë të 30 shtëpive që do të prishen dhe që nuk kundërshtojnë ndërtimin e parkingut por sugjerojnë ndërtimin e tij në anën tjetër të stadiumit për të mos cenuar shtëpitë e tyre të hershme. Sipas Hoxhës disa nga këto shtypi janë qindra vjeçare dhe ata janë banorë autoktonë të lagjes “Ahmet Haxhija”.
Për më tepër, sipas banorëve, çmimi që u është caktuar për kompensim është 8200 lekë për metër katror tokë dhe 10 mijë lekë për metër katrorë ndërtim, dhe ky çmim është shumë larg vlerës reale të tregut. Rama ka deklaruar se stadiumi do bëhet por më parë do të bëhet shpronësimi. “E para, kjo s’ka lidhje me zemrën time. Kjo ka lidhje me standardet e UEFA- s. Stadiumin do ta bëjmë për ndeshje ndërkombëtare dhe siç bëmë me stadiumin e Elbasanit, duhet të marrim nga UEFA gjithë parametrat, se përndryshe UEFA nuk të lejon të bësh ndeshje. Në momentin që projekti përmbush parametrat, mbi bazën e parametrave bëhen pastaj edhe shpronësimet”, - sqaroi Rama.
Ai theksoi se nuk ka asnjë lloj tendence për të prishur kot, por vetëm do prishet çfarë duhet për të përmbushur parametrat e UEFA- s. “Nga ana tjetër, stadiumi do të plotësohet, nuk do të jetë siç është sot, me një krah të këputur. Ju duhet të jeni shumë të qetë në një pikë, që procesi i shpronësimit do të fillojë dhe do të kryhet dhe pastaj do të bëhet prishja për ato pjesë që do të duhet të prishen për të krijuar hapësira", - deklaroi kreu i qeverisë.
Legalizimet e ndërtimeve pa leje
Qindra banorë të Fushë-Krujës dhe Shkodrës morën dje lejet e legalizimit të banesave të ndërtuara pa leje. Disa prej këtyre banorëve kishin vite me radhë që endeshin në zyrat e ALUIZNI-t. Në zyrën e ALUIZNI-t në Fushë- Krujë ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi ambientet e reja të punës dhe pritjes së qytetarëve, si dhe asistoi në një moment të punës së ekipit të kësaj zyre.
Drejtori i zyrës tha se vetëm për muajin nëntor janë dhënë 100 leje legalizimi që së bashku me lejet e dhëna këto 6 muaj e çon në 460 numri i certifikatave të lëshuara, e barabartë me lejet e dhëna në 8 vjet (450 leje), në qeverisjen e mëparshme. Ky proces vijoi edhe Pallatin e Sportit në Shkodër, ku në prani të Ramës u shpërndanë 700 leje të legalizimit. Për 7 muaj në këtë qytet janë shpërndarë gjithsej 1400 leje legalizimi, aq sa qeveria e mëparshme bëri në 8 vjet. Drejtorit të ALUIZNI- t, Artan Lame tha se për herë të parë, zyrat e legalizimit janë hapur edhe në Malësi të Madhe, Koplik dhe Pukë.
Kompensimi ish-pronarëve, qeveria shton fondin fizik në dispozicion të AKKP-së
Qeveria shton fondin fizik për kompensimin e pronarëve. Me një vendim të fundit të Këshillit të Ministrave është vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave edhe një fond fizik prej 23368.8 hektarë tokë. Sipërfaqja e tokës bujqësore e cila është në pronësi të shtetit u ishte dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12, të ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8744, datë 22.2.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar dhe të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 23 368.8 hektarëve, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore, sipas listës dhe materialit hartografik digjital”, - thuhet në vendimin e ekzekutivit.
Më tej në vendim sqarohet se njësive të qeverisjes vendore u shfuqizohet e drejta e përdorimit për pasuritë e përcaktuara më parë. Për zbatimin e vendimit është ngarkuar Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Gjithashtu janë angazhuar në këtë proces dhe këshillat e qarqeve Elbasan, Korçë, Berat dhe Gjirokastër, zonat ku shtrihet kjo sipërfaqe tokësore deri tani në pronësi të shtetit. Ky vendim është i dyti brenda pak muajsh i cili shton fondin fizik për kompensimin e pronarëve. Edhe në shkurt të këtij viti Këshilli i Ministrave kaloi në fondin e AKKP-së një sipërfaqe prej 25 mijë hektarë tokë. Ndërkohë që për vitin 2015 qeveria ka përcaktuar edhe një fond prej 14 miliardë lekësh për kompensimin financiar të ish-pronarëve.
Kryeministri e ka cilësuar këtë fondi si më të madhin të 9 viteve të fundit. “Rritet me një miliard lekë fondi për kompensimin e ish-pronarëve. Fondi më i madh i 9 viteve të fundit dhe sa katër viteve buxhetore të akorduara gjatë 8 viteve të qeverisjes demokratike të mbledhura së bashku”, - ka deklaruar Rama. Qeveria ka nisur ndërkohë dhe projektin e miratuar në Këshillin e Evropës mbi zgjidhjen e çështjes së pronës në Shqipëri. Në këtë projekt janë parashikuar hapat që do të hidhen, që nga metodika e çmimeve, te realizimi i hartës së tokave të lira dhe deri në përmbylljen e të gjithë procesit.
Më të lexuarat








